Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

📚🇷🇺 Gjuha ruse – urë komunikimi dhe dialogu ndërkulturor në FGJH-UT

Në prag të Ditës së Gjuhës Ruse, më 22 maj 2026, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, grupi mësimor-kërkimor “Gjuhësi–Përkthim” i gjuhës ruse organizoi veprimtarinë akademike dhe kulturore me temë: “Gjuha dhe kultura ruse – ura komunikimi dhe identiteti kulturor”.

Aktiviteti mblodhi studentë dhe pedagogë të Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, studentë nga degë të tjera të FGJH-UT, studentë të UT-së që studiojnë gjuhën ruse në nivel ekstrakurrikular, nxënës e mësues nga gjimnazi me profil gjuhësor “Asim Vokshi”, si edhe dashamirës të gjuhës dhe kulturës ruse.

Në qendër të veprimtarisë ishte leksioni i hapur i mbajtur nga Prof. As. Dr. Alma Pinari, përmes të cilit u evidentua jo vetëm pasuria e jashtëzakonshme e gjuhës ruse dhe dimensioni i saj i thellë kulturor e identitar, por edhe rëndësia që ka sot studimi i kësaj gjuhe në një realitet gjithnjë e më shumë ndërkulturor dhe shumëgjuhësh. U theksua roli i gjuhës ruse si një gjuhë me ndikim të rëndësishëm në hapësirën akademike, kulturore dhe diplomatike ndërkombëtare, duke përfaqësuar një urë komunikimi mes traditës dhe zhvillimeve bashkëkohore. Në këtë kuadër, të mësuarit e saj do të ishte një mundësi për zgjerimin e kompetencave gjuhësore, kulturore dhe profesionale të studentëve, veçanërisht në fushat e përkthimit, marrëdhënieve ndërkombëtare, studimeve kulturore dhe komunikimit ndërkulturor.

Një moment i rëndësishëm i aktivitetit ishte diskutimi mbi bilingualizmin si urë e fuqishme në ndërveprimin kulturor, dimension që u pasqyrua më së miri nga studentët shqiptarë nga familje shqiptaro-ruse. Prania dhe angazhimi i tyre dëshmuan jo vetëm vlerat e komunikimit ndërkulturor, por edhe potencialin e madh që ky komunitet përfaqëson për Fakultetin tonë, si një hapësirë ku bashkëjetojnë dhe pasurohen gjuhët, kulturat dhe identitetet.

Veprimtaria vijoi me një përvojë didaktike nga mësues të gjimnazit me profil gjuhësor “Asim Vokshi”, si dhe me konkursin e poezisë ruse me pjesëmarrje të nxënësve e studentëve, të cilët përmes talentit, përkushtimit dhe interesit të tyre për gjuhën dhe kulturën ruse, sollën më pranë auditorit pasurinë shpirtërore dhe artistike të gjuhës e kulturës ruse.

Certifikatat dhe vlerësimet e shpërndara shërbyen si motivim për nxitjen e mëtejshme të studimit të gjuhëve të huaja në përgjithësi, por edhe të gjuhës ruse në veçanti si pjesë e pandashme e dialogut ndërkulturor.

Pasurimi i bibliotekës me literaturë të re për programet e gjuhës ruse, u prit me entuziazëm nga të gjithë të pranishmit.

Kjo veprimtari dëshmoi edhe një herë angazhimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, UT dhe të Grupit mësimor-kërkimor “Gjuhësi–Përkthim” i gjuhës ruse për promovimin e dialogut kulturor, të shumëgjuhësisë dhe të vlerave universale që ndërtohen përmes gjuhës.

situs toto