📚 Më 20 mars 2025, në një aktivitet të organizuar nga Dega e Gjuhës Turke, z. Stefan Vuçani, përkthyes pranë Ambasadës Turke në Tiranë, ndau përvojën e tij profesionale në bashkëbisedimin me temë: “Mes Diplomacisë, Kulturës dhe Përkthimit.”
Fillimisht, z. Stefan foli për marrëdhëniet historike mes Turqisë dhe Shqipërisë, për mësimin e turqishtes në Fakultetin e Histori-Filologjisë, për punën e tij si përkthyes në Ambasadën Turke ku pati mundësinë të prekë nga afër diplomacinë, të njohë shumë personalitete të rëndësishme politike dhe kulturorë të Republikës së Turqisë dhe Republikës së Shqipërisë, për sfidat dhe vështirësitë e punës si përkthyes dhe interpret.
Ai solli për publikun kujtime të veçanta nga takimet me shkrimtarë të njohur si Jashar Kemal gjatë vizitës së tij në Shqipëri, Aziz Nesin gjatë një vizite pune në Turqi, si dhe shkrimtarë të tjerë.
Gjatë bashkëbisedimit, z. Vuçani ndau përvojën e tij në përkthimin e veprave të autorëve turq në shqip, duke përmendur disa nga titujt që ka sjellë për lexuesin shqiptar. Pedagogët e gjuhës turke u bashkuan në diskutim, duke vlerësuar kontributin e tij në pasurimin e literaturës së përkthyer nga gjuha turke.
Në përfundim, z. Vuçani u dha studentëve këshilla të vyera mbi rrugën e përkthimit, duke theksuar rëndësinë e njohjes së thellë të gjuhës, gramatikës, leximit, letërsisë, historisë dhe kulturës turke. Ai theksoi se teknologjia mund të ndihmojë procesin e përkthimit, por njohuria dhe pasioni për gjuhën janë thelbësore për t’u bërë një përkthyes i mirë.





