Dantedì – Ditën e premte, në datën 25 Mars, me rastin e Ditës së Dantes [Dantedì], Departamenti i Gjuhës Italiane organizoi takimin me shkrimtarin dhe përkthyesin Meritan Spahija, përkthyesi më i ri i “Ferrit”, pjesës së parë të “Komedisë Hyjnore” të poetit të madh italian Dante Alighieri.
Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi mes përkthyesit dhe pedagogëve të departamentit dhe studentëve që kishin mbushur sallën e bibliotekës Argjiro të FGJH.
Përkthyesi foli për motivet që e kishin shtyrë të ndërmerrte këtë punë kaq të vështirë dhe për vështirësitë që kishte hasur gjatë përkthimit.
Për përkthyesin, sjellja e një përkthimi të ri të veprës së Dantes, pas përkthimit të mrekullueshëm të Pashko Gjeçit, veprën e të cilin ai e ka patur bashkëshoqëruese gjatë gjithë punës së tij, është bërë jo për të përmirësuar përkthimin, por për faktin se kanë kaluar 60 vjet nga botimi i përkthimit të plotë të Gjeçit. Gjuha shqipe, si çdo gjuhë, ka ndryshuar duke u pasuruar dhe duke u zhvilluar, sepse gjuha vetë është një organizëm i gjallë që rritet dhe pasurohet. Ardhja e veprës me një gjuhë të freskuar, na e sjell Danten më afër lexuesit të sotëm.
Përgatitja e këtij botimi monumental (me 900 faqe) i ka kushtuar përkthyesit 10 vite punë. Edhe ky përkthim (si ai Pashko Gjeçit dhe i Mark Ndojës) është në gegnisht.
E veçanta e përkthimit të tij është se botimi është i pajisur me komente e shpjegime për çdo tercinë dhe shoqërohet edhe me një fjalorth në fund të çdo kënge.
Spahija ka sjellë gjatë veprës shpjegime, ilustrime dhe komente gjuhësore, historike, teologjike shumë të detajuara, sepse i konsideron ato si të domosdoshme për vetë faktin se Italia ka ndryshuar shumë, distanca është epokale. Dante e ka veshë Komedinë e tij me petkun e besimit të kohës. Personazhet që Dante ka futur në veprën e tij, janë mitologjike, historike e bashkëkohës të tij dhe, në qoftë se nuk ka një informacion të plotë e të detajuar për ata, lexuesi nuk do të mund ta kuptojë dhe shijojë “Komedinë hyjnore” dhe vargun e mrekullueshëm të Dantes.
Fjalorthi në fund të çdo kënge përmbledh fjalë që nuk gjenden në fjalorët e sotëm të gjuhës shqipe, si edhe neologjizma të vetë përkthyesit.