Grupi mësimor-kërkimor „Didaktikë“ i Departamentit të Gjuhës Gjermane, në bashëkpunim me Goethe Zentrum Tirana, zhvilloi më datë 14 Prill 2025Workshopin me temë “Instrumentet e IA-së për një mësim autonom dhe të diferencuar të gjuhës gjermane“ me studentet e nivelit Master në „Mësuesi“, Gjuhë Gjermane.
Në një botë gjithnjë e më digjitale, Inteligjenca Artificiale (IA) ka marrë një rol kyç në procesin e arsimit dhe të mësimdhënies. Ky workshop është menduar posaçërisht për mësuesit e ardhshëm të gjuhës gjermane duke synuar të ofrojë një pasqyrë të qartë e të dobishme mbi mënyrat se si instrumentet e IA-së mund të mbështesin dhe pasurojnë procesin e mësimit të gjermanishtes. Gjatë workshop-it u prezantuan mënyra konkrete përdorimi, si platforma interaktive, teknologji për gjenerimin e imazheve dhe ndërtimin e rrugëve për një mësimdhënie dhe mësimnxënie të personalizuar. U trajtuan edhe aspekte të rëndësishme etike dhe pedagogjike, me synimin për të kuptuar më mirë si potencialin, ashtu edhe sfidat që shoqërojnë integrimin e IA-së në mësimdhënien e gjuhës së huaj.
Qëllimi kryesor i këtij workshopi ishte përcjellja e njohurive dhe aftësive të nevojshme për të përdorur me kompetencë këto mjete inovative, si dhe për të reflektuar në mënyrë kritike mbi ndikimin që IA-ja mund të ketë në të ardhmen e mësimdhënies gjuhësore.