Më datë 23.05.2025 Grupi Mësimor-Kërkimor Gjuhësi / Didaktikë e Gjuhës Turke në Departamentin e Gjuhëve Sllave e Ballkanike, Dega e Gjuhës Turke, organizoi një takim letrar me tregimtarin, eseistin dhe shkrimtarin turk, Hüseyin Su dhe me përkthyesin e veprës së tij të botuar së fundmi, z. Emir Hukalla.
Emri i tij i vërtetë është İbrahim Çelik. Hüseyin Su është pseudonimi me të cilin njihet në shkrimet dhe veprat e tij letrare. Z. Hüseyin Su është diplomuar në vitin 1980 në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Turke në Fakultetin e Gjuhës dhe Histori-Gjeografisë të Universi. Z. Hüseyin Su filloi punën fillimisht si mësues në qytete të ndryshme të Turqisë si Kütahya, Adapazar dhe Ankara, më pas, në vitin 1998 në Ministrinë e Kulturës, si drejtor dege në Bibliotekën Kombëtare, ndërsa në periudhën 1998-2000 si zëvendës drejtor i Bibliotekës Shtetërore Beyazıt të Stambollit. Në vitet në vijim tregimet dhe studimet e tij u botuan në revistat “Edebiyat” (1980-1984), Mavera (1984), İlim ve Sanat (1986-1988) dhe Hece (1997). Veç tregimeve ka shkruar ese të ndryshme si “Bir Yağmut Türküsü” (1999), “Öykümüzün Hikayesi” (2000), “Teori ve Eleştiri” (2004), “Dil ve Düşünce” (2004). Në vitin 2000 doli në pension dhe jeton e zhvillon aktivitetin e tij letrar në Ankara.
Z.Hüseyin Su është pioner i themelimit të dy revistave letrare “Hece” dhe “Hece öykü”. Ai ka botuar shumë libra letrarë, shumica e të cilëve janë përkthyer në gjuhë të huaja. Z. Hüseyin Su fitoi Çmimin Letrar të vitit 1998 për Tregimin e Shkurtër nga Lidhja e Shkrimtarë të Turqisë me tregimin e titulluar “Gülşefdeli Yemeni”. Tregimet e tij “Ateş”, “Giden Gün Ömründendir”, Ana Üşümesi” janë përkthyer në gjuhën shqipe. Ai ka shërbyer si këshilltar në Presidencë.
Hüseyin Su është i njohur për tregimet e tij tradicionale, në aspektin e mënyrës së rrëfimit dhe temës që trajton, por moderne në aspektin e formës dhe imagjinatës. Ai është vlerësuar brenda grupit të quajtur “Tradicionalistët e rinj” së bashku me shkrimtarë të tjerës si Rasim Özdenören, Mustafa Kutlu etj. Ndjeshmëritë e përbashkëta që lidhin këtë grup autorësh janë tradicionalizmi, trajtimi i koncepteve të tilla si nativizmi, përtej arsyeja, nënndërgjegjja, shqisa e gjashtë, emocioni dhe intuita.
Pas prezantimit të krijimtarisë së tij para studentëve, në fjalën e tij, z. Hüseyin Su foli për Letërsinë Turke, për pasionin e tij për letërsinë, për zhanrin letrar që ka lëvruar gjatë krijimtarisë së tij, për tregimin, të cilin e përkufizon si “përgjigje ndaj jetës, për të rirregulluar dhe korrigjuar me anë të të shkruarit situatat që nuk na pëlqejnë”, për momentin e shkrimit dhe leximit të tregimit duke e përkufizuar si “një moment ku jemi më afër vetes dhe njerëzve”, për librat e shkruar prej tij, për frymëzimin letrar, për mënyrën e të shkruarit të tregimit, për rëndësinë e vëzhgimit të jetës së përditshme dhe mbajtjes së shënimeve, për procesin e krijimtarisë letrare. Ai foli gjithashtu për rëndësinë e letërsisë në formimin e individit dhe në veçanti të rinisë.
Pedagogët e gjuhës turke, Dr. Alban Foçi, Prof.As.Dr. Adriatik Derjaj, Prof.As.Dr. Xhemile Abdiu, Dr. Urtis Harri morën fjalën duke e falenderuar z. Hüseyin Su për prezencën e tij mes studentëve dhe pedagogëve të Degës së Gjuhës Turke. Secili prej tyre foli për zhanrin letrar të lëvruar prej z. Hüseyin Su, për tregimet e tij të njohura nga lexuesit, për motivet e krijimtarisë së
tij dhe temat e trajtuara në tregime të ndryshme, për kontributin e tij në revistat letrare, si dhe përkthimin e tregimeve të tij në gjuhë të ndryshm, ndër to edhe në gjuhën shqipe.
Më pas z.Emir Hukalla për letërsinë e botuar nga shtëpia botuese Fleta e Prizrenit, për aktivitetin e kësaj shtëpie botuese, për librat e botuar, për librin e z. Hüseyin Su të përkthyer prej tij nga gjuha turke në gjuhën shqipe “İç kanaması”.
Takimi letrar vijoi me pyetje nga studentët dhe pedagogët drejtuar z. Hüseyin Su, i cili iu përgjigj me shumë kënaqësi dhe emocion duke thënë se auditori i kujton gjithmonë kohën kur ka qenë mësues. Në përfundim të takimit shkrimtari Hüseyin Su u dhuroi të gjithë studentëve dhe pedagogëve të gjuhës turke nga një libër me autografin e tij.