KONFERENCA E DYTË E STUDENTËVE TË DEPARTAMENTIT TË GJUHËS ANGLEZE

Në datën 14.06.2019, në bashkëpunim me studentët e Programeve Master dhe Bachelor, Gjuhë Angleze, Departamenti i Gjuhës Angleze organizoi Konferencën e Dytë të Studentëve të Anglishtes (Second Junior Conference) me temë “New Dimensions and Approaches in English Studies”, në të cilën u mbajtën 26 kumtesa në fushën e mësimdhënies dhe metodologjisë së gjuhëve të huaja, studimeve përkthimore, studimeve kulturore dhe komunikimit, të përgatitura dhe prezantuara nga studentët e të tre Programeve Master, si dhe 4 prezantime bazuar në produkte të mirëfillta të kërkimit shkencor nga studentë të Programit Master i Shkencave, Mësuesi Gjuhë Angleze dhe studentë të Programit Bachelor Gjuhë Angleze.

Të ftuarve të pranishëm iu uroi mirëseardhjen Përgjegjësi i Departamentit të Anglishtes, Prof. Dr. Viktor Ristani, i cili vuri në dukje rëndësinë e kësaj konference të dytë të studentëve në gjallërimin e mëtejshëm të jetës studentore dhe ekstrakurrikulare, si dhe zgjerimin e bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë në kuadrin e programeve të tillë si Programi i Ambasadës Amerikane për Mësimdhënës të Gjuhës Angleze, US Embassy English Language Fellow (ELF) Program,. CEEPUS, Erasmus+, përfshirjen e studentëve dhe pedagogëve në projekte të ndryshme ndërkombëtare, duke theksuar se “ne vazhdojmë të zhvillohemi dhe përshtatemi më tej me kërkesat e tregut të punës, gjithmonë të motivuar, me studentët në qendër të vëmendjes dhe të orientuar drejt tregut të punës, të hapur për ide, përvoja dhe qasje të reja.”

Në këtë kontekst, Departamenti i Anglishtes ka qenë nismëtar dhe bashkëorganizues i projekteve dhe veprimtarive të përbashkëta mësimdhënëse dhe kërkimore-shkencore me kolegët në universitete të tjera, duke u përqëndruar fusha të ndryshme specifike të kërkimit shkencor.
Prej fillimit të viti 2019, studentë dhe pedagogë të Programit Master i Shkencave, dega Mësuesi, gjuhë angleze kanë përfituar nga bashkëpunimi me Dr. Aileen Hale, Specialiste e Gjuhës Angleze, Departamenti Amerikan i Shtetit, në kuadrin e një projekti 10-mujor të mbështetur dhe financuar nga Programi i Ambasadës Amerikane në Shqipëri për mësimdhënës të gjuhës angleze dhe të realizuar në bashkëpunim me Departamentin e Anglishtes dhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Ndihmesa e saj për Departamentin dhe Fakultetin tonë lidhet me:
1. Bashkëmësimdhënien në leksione dhe seminare me pedagogë të programit Master të përgatitjes së mësuesve të gjuhës angleze, në lëndë të tilla si:
a. Psikolinguistikë;
b. Metodologji e mësimdhënies së gjuhës së huaj
b. Edukim ndërkulturor;
d. Burime të informacionit në mësimin e gjuhës së huaj;
2. Mbështetja në kërkimin shkencor për studentët e programit Master i Shkencave, Mësuesi, Gjuhë Angleze;
3. Mbështetja e kualifikimit të mëtejshëm të mësuesve të gjuhës angleze nga Departamenti i Anglishtes dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja;

` Në sajë të programeve të shkëmbimit të vizitave mësimdhënëse dhe kërkimore-shkencore, të tillë si ERASMUS + dhe CEEPUS, janë ftuar kolegë të universiteteve evropiane, të cilët kanë kontribuuar me propozimet e tyre për bashkëpunim në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor. Përmendim, në këtë kontekst, vizitat e Prof. Asoc. Dr. Maria Bajner, zyra e marrëdhënieve me jashtë në Universitetin e Peçit, Hungari (Programi CEEPUS), Dr. Balint Szele, Universiteti i Shkencave të Aplikuara Kodolanyi Janos, Hungari (ERASMUS +)
Gjithashtu, në kuadrin e Programit ERASMUS +, kanë kryer vizita mobiliteti pedagogë nga universitete evropiane me të cilët Universiteti i Tiranës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi, si përshembull Silvia Sánchez Calderón, PhD, lektore dhe punonjëse kërkimore shkencore në Universitetin e Valladolid, Spanjë, Dr. Arzu Kocak, lektore në Universitetin e Haceteppe, Turqi

Në seancën plenare ishte i pranishëm Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Prof. Dr. Artur Sula, i cili në fjalën e tij përshëndetëse, duke falënderuar organizatorët e kësaj konference të dytë të studentëve të anglishtes në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, tashmë traditë për Departamentin e Anglishtes, theksoi rëndësinë e saj jo vetëm për Departamentin e Anglishtes, por edhe Fakultetin e Gjuhëve të Huaja.

Gjithashtu, në këtë kontekst, u vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme në përmbushjen e synimeve për një proces mësimdhënie dhe edukimi sa më të mirë të studentëve në përballimin e sfidave në të ardhmen, si dhe ndihmesën në sigurimin dhe menaxhimin e cilësisë së duhur të përgatitjes së studentëve në përputhje me kërkesat e tregut kombëtar, rajonal e ndërkombëtar të punës, zgjerimin e gamës së programeve Master, veçanërisht organizimin e programeve të përbashkët ndërkombëtarë në fushën e turizmit dhe komunikimit, si dhe zgjerimin dhe thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me partnerë ndërkombëtarë në fushën e arsimit të lartë.

Studentja e shkëlqyer e Programit Master në Mësuesi, Gjuhë Angleze, Ana Shehu ndau me të pranishmit në konferencë përvojën e saj gjatë viteve të studimeve në të dy ciklet e studimit në Departamentin e Anglishtes, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja

Në seancën plenare referuan si folës kryesorë Aileen Hale, PhD, English Language Fellow, U.S. Department of State, Albania me temën Engaging Teachers “Outside of the Box”, ndërsa Silvia Sánchez Calderón, PhD, lektore në Universitetin e Valladolid, Spanjë, paraqiti temën “First language acquisition of English and Spanish complex predicates”
Në seancën plenare paraqitën punimet e tyre nën drejtimin e Dr. Daniela Hasa dhe Aileen Hale, PhD, studentët e Programit Master i Shkencave, përkatësisht “Engaging students with Interactive Power Points”, “English for taxi-drivers” dhe “Teaching English to café/bar staff/Drink English APP”, si edhe studentët e vitit të tretë, Gjuhë Angleze, Programi Bachelor, nën drejtimin e Dr. Irena Kapo (Pata), me prezantimin e tyre me temë “Gender Speech Differences in Albania”

Studentët vazhduan më tej me referimet e temave të përgatitura dhe diskutimet në seanca të njëkohësishme sipas fushave studimore dhe kërkimore-shkencore të veçanta, të shoqëruar nga pyetje, diskutime dhe sugjerimen të ndryshme. Konferenca dhe kumtesat e natyrave dhe fushave të ndryshme të studimeve të gjuhës angleze u shërbyen studentëve të Programeve Master i Shkencave në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të cilët ndoqën me interes punimet e Konferencës, shkëmbyen përvojat e tyre në ndihmë të forcimit dhe thellimit të mëtejshëm e zgjerimit të bashkëpunimit profesional e ndërpersonal në këto fusha të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.