Në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), organizoi aktivitetin letrar “Lexojmë dhe përkujtojmë Molierin në 400 vjetorin e lindjes së tij”. Aktiviteti letrar që u moderua nga Prof.As.Dr. Alba Frashëri, Përgjegjëse e Departamentit të Gjjuhës Frënge dhe Dr. Drita Rira,Zv-Dekane, synoi të përkujtojë jetën dhe veprën e autorit francez, Molière (Jean-Baptiste Poquelin), “le plus grand génie du théâtre français/gjeniut më të madh të teatrit francez” dhe jo vetëm duke mbledhur bashkë studiues dhe studentë të cilët lexuan pjesë nga veprat e Molierit, në gjuhën shqipe, frënge, spanjolle dhe angleze.
Në fjalën e saj, studiuesja dhe pedagogia Prof.As.Dr.Ardiana Kastrati u ndal tek vlerat universale të përcjella përmes veprës së Molierit si edhe bashkëkohësia e temave dhe ideve të përcjella prej tij.
Ky aktivitet u përshëndet nga Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Esmeralda Kromidha si edhe Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Zj. Alda Bardhyli, të cilat theksuan rëndësinë e takimeve të tilla në kuadër të shkëmbimit mes popujve.
Në fund të aktivitetit, me mbështetjen dhe praninë e përfaqësueses së AUF (Agjencisë Universitare të Frankofonisë) në Shqipëri, Dr. Elona Toro, studentëve iu shpërndanë disa libra.