Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Një Udhëtim Ndërkulturor që Bashkon Popujt: Shkolla Verore e Gjuhës Bullgare nga Tirana në Korçë

Java e fundit e Shkollës Verore të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare, e cila u zhvillua nga data 19 deri më 25 korrik 2025, përbën kulmin emocional dhe kulturor të gjithë programit (1 korrik-25 korrik 2025), duke u kthyer në një përvojë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit. Pas tre javësh intensive në mjediset akademike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, Shkolla Verore, nën drejtimin e Prof. As. Dr. Raqi Bello dhe Dr. Miranda Bello, u zhvendos jashtë auditorëve, për të përjetuar gjuhën dhe kulturën bullgare në një kontekst të gjallë dhe autentik – në rajonin e pasur me histori dhe trashëgimi kulturore të Korçës.

Ekskursioni studimor filloi në qytetin piktoresk të Pogradecit, ku pjesëmarrësit u njohën me mjedisin natyror dhe historik të liqenit të Ohrit dhe burimeve të Drilonit, pranë Manastirit të Shën Naumit – një figurë kyçe e traditës kishtare bullgare, nxënës i shquar i Shën Kirilit dhe Metodit.

Më pas, udhëtimi vazhdoi drejt Voskopojës, një qendër e shquar e kulturës, arsimit dhe botimeve në shekullin XVIII, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë Ballkanin. Vizita në këtë vend, ku u themelua shtypshkronja e parë në Ballkan dhe ku u botua fjalori i katër gjuhëve ballkanike (greqisht, shqip, bullgarisht dhe arumanisht), u kthye në një pikë kyçe reflektimi mbi ndikimet e ndërsjella kulturore në rajon.

Korça, si qyteti mikpritës, ishte një tjetër ndalesë e rëndësishme. Studentët patën mundësinë të njihen nga afër me historinë e qytetit, trashëgiminë e tij kulturore dhe lidhjet historike me popullin bullgar. Qyteti dhe rrethinat e tij janë përfshirë në Perandorinë Bullgare që nga viti 853 dhe kanë qenë pjesë e njësisë administrative të njohur si Kutmiçevica. Edhe sot, në këtë krahinë gjendet një komunitet i pakicës bullgare, që përbën një urë të gjallë lidhëse mes dy vendeve. Pjesëmarrësit e Shkollës patën rastin të vizitojnë disa nga këto fshatra dhe të ndjekin ligjëratën e Prof. As. Dr. Raqi Bello, pedagog në Universitetin e Veliko Tarnovos „Shenjtorët Kirili dhe Metodij“, mbi veçoritë gjuhësore dhe kulturore të komunitetit bullgar të kësaj zone.

Programi përfshiu gjithashtu vizita në institucione arsimore dhe muze të rëndësishëm në qytetin e Korçës, duke ofruar një kuadër të gjerë kulturor për thellimin dhe përforcimin e njohurive të fituara gjatë shkollës.

Përmbyllja e Shkollës Verore u shënua me një ceremoni të përzemërt ndarjeje certifikatash, ku ishin të pranishëm Prof. As. Dr. Raqi Bello dhe lektorja e gjuhës bullgare, Dr. Miranda Bello – që udhëhoqën Shkollën që nga dita e parë – si dhe Prof. Dr. Todor Galaunov, pedagog në Departamentin e Politologjisë në Universitetin e Veliko Tarnovos, i cili iu bashkua aktivitetit gjatë ditëve të fundit dhe përshëndeti pjesëmarrësit në emër të Rektorit, Prof. Dr. Dimitar Dimitrov. Në fjalën e tij, Prof. Galaunov theksoi rëndësinë që ka Shkolla Verore për promovimin e gjuhës dhe kulturës bullgare në rajon dhe shprehu mirënjohjen ndaj dekanes së Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, për mbështetjen e vazhdueshme institucionale.

Moment i veçantë i ceremonisë ishte ndarja e certifikatave të lëshuara nga Universiteti i Veliko Tarnovos – një vlerësim për përkushtimin dhe pjesëmarrjen aktive të studentëve. Në

përmbyllje, pjesëmarrësit ndanë përshtypjet dhe kujtimet më të bukura nga përvoja e tyre dhe shprehën dëshirën për të qenë sërish pjesë e kësaj nisme frymëzuese në vitin e ardhshëm.

Le të kujtojmë këtu që kjo iniciativë unike në llojin e saj në Shqipëri organizohet nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Departamenti i Gjuhëve Sllave-Ballkanike, në bashkëpunim me Universitetin “Shenjtorët Kirili dhe Metodij” të Veliko Tërnovës në Bullgari, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndëruniversitar Erasmus + dhe me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Tiranë.