Sot, më 4 korrik 2025, Shkolla Verore e Gjuhës Bullgare vijoi aktivitetet e saj mësimore me orët e gjuhës praktike në të dy grupet – fillestar dhe i avancuar – duke ruajtur ritmin e angazhimit dhe përfshirjes aktive të pjesëmarrësve.
Në kuadër të programit të ditës, Prof. As. Dr. Raqi Bello nga Universiteti „Shenjtorët Kirili dhe Metodij“ i Veliko Tërnovës mbajti një ligjëratë me temë “Gjuha bullgare në komunikimin ndërkulturor”. Prezantimi i tij, i pasuruar me materiale ilustruese dhe shembuj konkretë, ngjalli interes të veçantë te të pranishmit, duke hedhur dritë mbi veçoritë e komunikimit gjuhësor dhe ndërkulturor në kontekstin e globalizimit të sotëm.
Në botën moderne, ku mjetet dhe format e komunikimit evoluojnë me ritme të shpejta, sfidat ndërkulturore bëhen gjithnjë e më të ndjeshme. Nga njëra anë, dallimet kulturore përfaqësojnë pasuri dhe identitet unik; nga ana tjetër, kërkohet njohje e thelluar dhe sistematike për të kuptuar kodet kulturore të “tjetrit”. Vështirësitë në përkthimin dhe interpretimin e kuptimeve të fshehta të fjalëve dhe shprehjeve tregojnë se komunikimi ndërkulturor shpesh tejkalon kuadrin e gjuhës standarde, sidomos kur bëhet fjalë për folës që kanë jetuar për breza jashtë vendit të origjinës.
Profesor Bello prezantoi grupe tematike leksikore dhe shprehje që përmbajnë elemente të pasura të kulturës bullgare, duke përfshirë kode të lidhura me mentalitetin dhe botëkuptimin kombëtar. Ligjërata trajtoi gjithashtu përmbajtjen kulturore të fjalorit bazë bullgar, të ndarë në fusha të tilla si: hapësira dhe natyra, institucionet shtetërore dhe jeta politike, historia dhe simbolet kombëtare, tiparet etnografike dhe social-kulturore, festat dhe traditat, si dhe përfaqësimet laike dhe fetare të jetës kulturore.
Për të ilustruar kujtesën kulturore të popullit bullgar dhe mënyrën se si ajo perceptohet nga kombet e tjera, u paraqitën fjalë kyçe që lidhen me figura historike dhe heronj kombëtarë, personalitete të njohura nga arti, shkenca dhe sporti, si dhe vendbanime simbolike, zakone dhe simbole etno-kulturore, përfshirë edhe tendencat bashkëkohore. Tematikat e trajtuara dhe shembujt e shumtë nxitën diskutim dhe interes për krahasime të natyrshme me elementë të kulturës shqiptare, duke hapur rrugë për reflektime ndërkulturore të thelluara.