Depatamenti i gjuhës spanjolle, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, UT, me pjesëmarrjen edhe te anëtarëve të grupit mësimor-kërkimor si dhe në bashkëpunim me Universitetin Castilla- La Mancha, Universitetin Ndërkombëtar të Katalonjës (UIC), Universitetin e Ankarasë, Universitetin e Stambollit, organizoi një simpozium “VI SIMPOSIO INTERNACIONAL SOBRE LITERATURA Y CULTURA HISPÁNICAS” me pjesëmarrjen e mbi 40 kumtuesve me tematikë letërsinë dhe kulturën hispanike. Në të morën pjesë profesorë të gjuhës, letërsisë dhe historisë spanjolle nga SHBA, Italia, Hollanda, Turqia, Kosta Rika, ku të gjithë sollën prurjet e tyre dhe shkëmbyen eksperienca në kërkim dhe mësimdhënie. Kjo traditë ka filluar që prej vitit 2018 dhe organizohet vit pas viti në universitetet e sipërcituara.
Në të morën pjesë edhe anëtarët e grupit mësimor kërkimor “Letërsi dhe komunikim në gjuhën spanjolle” si M. Dhima, A. Nushi, F. Kaba dhe A. Prodani me kumtesat e tyre mbi përkthimin muzeistik, mbi trashëgiminë kulturore jomateriale shqiptare (dijebërja e xhubletës), mbi përkthimin e elementeve kulturorë me karakter historik dhe mbi teatrin lorkian në skenat tona. Këto kumtime do të botohen në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025 duke plotësuar pak e nga pak atë boshllëk që ne po përpiqemi të mbushim në fushën e komunikimit ndërkulturor dhe turistik në gjuhën spanjolle duke përmbushur objektivat afatshkurtra dhe afatgjata të punës sonë mësimore-kërkimore të tilla si: Të përmirësojmë brendinë e gruplëndëve të Bachelorit dhe të Masterave, që ofrohen nga departamenti ynë në përputhje me kërkesat e tregut të punës në fushën e turizmit dhe të komunikimit ndërkulturor; të lidhim teorinë me praktikën dhe me tregun e punës në fushën e turizmit si dhe të vazhdojmë me punën e nisur në terren në 2-vjeçarin e parë të punës së këtij grupi (2022-2024).



