Bisedim me studentë për rolin e Ambasadës Amerikane në përfaqësimin e Shteteve të Bashkuara nga zoti Chad Twitty

Ditën e hënë,në datë 11 Prill, Departamenti i Gjuhës Angleze mirëpriti Shefin e Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Tiranë, zotin Chad Twitty, dhe specialisten për Arsimin në këtë zyrë, zonjën Mirela Çupi – ish-studente e FGJH-së. Pas një takimi të shkurtër me shefin e departamentit, Prof. Dr. Viktor Ristani, zoti Twitty foli me studentët e vitit të tretë të degës Studime Britanike e Amerikane dhe Përkthim e Interpretim. Ai u foli studentëve për rolin e Ambasadës Amerikane në përfaqësimin e Shteteve të Bashkuara, politikën e jashtme amerikane, diplomacinë si edhe organizimin e Ambasadës. Studentët bënë një mori pyetjesh rreth vlerave dhe kulturës amerikane, ngjarjeve aktuale politike e të drejtave të diskutueshme, për mundësitë për shkëmbime, studime, pratika profesionale si edhe punësim që ambasada ofron, për rolin e Sh.B.A.-së në konfliktin mes Ukrainës dhe Rusisë. Në fjalët e studentëve, takimi ishte informues, biseda e këndshme dhe informacioni i marrë shumë i vlefshëm si për lëndët që ata zhvillojnë por edhe përtej tyre.