NJOFTIM I DEPARTAMENTIT TË ANGLISHTES PËR BISEDËN INFORMUESE E SENSIBILIZUESE MBI BULLIZMIN, ORGANIZUAR NË BASHKËPUNIM ME LINJA KOMBËTARE E TELEFONIT PËR FËMIJË – ALO 116

Në kuadrin e veprimtarive jashtëshkollore të Departamentit të Anglishtes, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, në datën 16.05.2019, në sallën Europa (Fakulteti i Gjuhëve të Huaja), pedagogë dhe studentë të programeve të gjuhës angleze mirëpritën dhe ndoqën me vëmendje bisedën informuese e sensibilizuese mbi bullizmin, të organizuar nga Departamenti i Anglishtes në bashkëpunim me Linja kombëtare e telefonit për fëmijë – Alo 116 me pjesëmarrjen e Z.Mirgit Vataj, Drejtor Ekzekutiv i Alo 116 dhe Z. Klaudio Pulaha, menaxher rastesh ne Alo 116.

Nëpërmjet prezantimeve ndërvepruese, bashkëbisedimeve të frytshme dhe diskutimeve të shumta, studentët dhe pedagogët e pranishëm u njohën me veprimtarinë e Linja kombëtare e telefonit për fëmijë – Alo 116, si dhe aspekte të ndryshme të dukurisë së bullizmit dhe sigurisë kibernetike përkatësisht bullizmi kibernetik, bullizmit në rrjetet e lëvizshme, sms dhe postimeve të tjera ofenduese.
Në këtë takim u shkëmbyen mendime dhe përvoja me interes të ndërsjelltë, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në të ardhmen për një ndërgjegjësim të mëtejshëm në lidhje me shumë aspekte të shërbimeve psiko-sociale të munguara, por të domosdoshme në Universitetin e Tiranës.