Në ditën e pestë të Shkollës Verore të Turizmit dhe Kulturës studentët e FGJH patën mundësi të vizitonin Shtëpinë Botuese “Toena”, ku u mirëpritën nga znj. Irena Toçi, Administratore e Shtëpisë Botuese.
Lidhur me temën “Roli dhe aftësia e ndërmjetësit kulturor dhe njohja me profesione të ndryshme në një shtëpi botuese”, ajo i këshilloi studentët të jenë rigorozë gjatë kohës së studimeve dhe të përfitojnë sa më shumë njohuri që të mund t’i përdorin profesionet e tyre. Ajo theksoi se detyrat në një shtëpi botuese janë të larmishme dhe kërkojnë profesionalizëm dhe përgjegjshmëri të lartë.
Znj. Toçi u shpjegoi në detaje proceset e punës në një shtëpi botuese, që nga kontakti me autorin, përkthimi, redaktimi dhe faza finale e publikimit të librit.
Gjithashtu ajo u paraqiti një panoramë se si bëhet promovimi i një shtëpie botuese nëpërmjet aktiviteteve dhe konkurseve të ndryshme letrare që ata vetë i organizojnë çdo vit.