Workshop “Përkthejmë për lexuesit e vegjël (vështirësi, sfida, zgjidhje)”

fëmijë

Në kuadër të projektit shkencor «Përkthimi i letërsisë italiane për fëmijë në gjuhën shqipe», grupi kërkimor-mësimor i Përkthimit & Interpretimit i Departamentit të Gjuhës Italiane, organizoi Workshop-in me titull «Përkthejmë për lexuesit e vegjël (vështirësi, sfida, zgjidhje)». Grupi i synuar i trajnimit janë studentët e vitit të tretë Bachelor, studentët e Masterit të Shkencave në Përkthim tekniko-letrar dhe Interpretim, si edhe studentët doktorantë të fushës Gjuhësi-Përkthim të Departamentit.

Gjatë viteve të masterit, përkthyesit e ardhshëm nuk mësojnë shumë rreth përkthimit të letërsisë për fëmijë. Si rrjedhim edhe kur dalin në tregun e punës përkthyesve të rinj iu duhet të lexojnë, të shfletojnë vetë për të mësuar diçka mbi përkthimin e letërsisë për fëmijë në rastet kur ata kontaktohen për përkthimin e ndonjë libri për fëmijë.

Qëllimi i Workshop-it ishte pikërisht të mbushte këtë mungesë njohurish dhe nevojash të studentëve. Gjatë Workshop-it u diskutua mbi çështje që kanë të bëjnë me vështirësitë e përkthimit të letërsisë për fëmijë si dhe zhvillimin e aftësive të përkthyesve në përkthimin e librave kushtuar lexuesve të vegjël. Gjatë ligjëtarave të mbajtura u vunë në pah karakteristikat që paraqesin tekstet e letërsisë për fëmijë dhe vështirësitë që hasen gjatë trajtimit të tyre përkthimor. Gjithashtu në këtë takim u vunë në fokus probleme editoriale të botimit të librave për fëmijë, si dhe u sollën eksperienca personale përkthimi nga përkthyesit e pranishëm. Një pjesë e trajnimit i kushtohej natyrës së problematikave me të cilat ndeshet profesionisti gjatë punës së tij, si dhe zgjidhjet e mundshme që ofrohen. Pjesëmarrës në këtë takim ishin studentët e ciklit të parë Bachelor, studentët e ciklit të dytë Masterit në Përkthim-Interpretim, si dhe studentët doktorantë të fushës Gjuhësi-Përkthim të Departamentit të Gjuhës Italiane. Ishin të pranishëm gjithashtu edhe studentë të ciklit të parë Bachelor të Departamentit të Gjuhës Angleze. Takimi u mbyll me zhvillimin e disa aktiviteteve praktike përkthimore me studentët për të parë realisht se si mundësohet përkthimi i këtij lloj zhanri letrar.

fëmijë fëmijë