Më 7 korrik 2025, në kuadër të programit të Shkollës Verore të Gjuhës Bullgare, vijuan aktivitetet e planifikuara mësimore dhe kulturore, të cilat synojnë përvetësimin e gjuhës bullgare në mënyrë sa më funksionale dhe gjithëpërfshirëse. Ashtu si ditët e mëparshme, orët e mësimit praktik të gjuhës bullgare u zhvilluan në dy nivele – fillestar dhe i avancuar – ku studentët patën mundësinë të ushtrojnë aftësitë e tyre në të folur, dëgjim, lexim dhe shkrim, në një kontekst ndërveprues dhe pedagogjikisht të pasur.
Në kuadër të komponentit kulturor të programit, u zhvillua gjithashtu një prezantim tematik me interes të veçantë, i titulluar “Gatimet tradicionale bullgare” (Традиционни български ястия), mbajtur nga Dr. Miranda Bello, pedagoge pranë Universitetit “Shenjtorët Kiril dhe Metodij” në Veliko Tërnovo dhe lektore e gjuhës dhe kulturës bullgare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës.
Prezantimi u përqendrua në traditat gastronomike të Bullgarisë, të cilat përbëjnë një aspekt të rëndësishëm të identitetit kulturor bullgar. Studentët u njohën me disa nga gatimet më të njohura dhe autentike të kuzhinës bullgare, si banica, shopska sallata, kavarma, tarator, shkembe çorba, musaka bullgare dhe shumë të tjera. Diskutimi theksoi lidhjen mes ushqimit, klimës, zakoneve rajonale dhe trashëgimisë historike të popullit bullgar. Studentët bënë krahasim dhe me traditat e kuzhinës shqiptare duke vënë theksin mbi gatimet e përbashkëta.
Pjesëmarrësit në Shkollën Verore, si studentë shqiptarë ashtu edhe bullgarë, u përfshinë në mënyrë aktive në diskutim, duke ndarë përshtypje, bërë pyetje dhe lexuar materiale të përzgjedhura në gjuhën bullgare dhe shqipe. Kjo qasje dygjuhëshe kontribuoi jo vetëm në thellimin e njohurive gjuhësore, por edhe në nxitjen e një dialogu ndërkulturor të hapur dhe të frytshëm.