Në datën 8 korrik 2025, në kuadër të Shkollës Verore të Gjuhës Bullgare, vijuan me sukses aktivitetet mësimore dhe kulturore, të cilat synojnë thellimin e njohurive gjuhësore dhe ndërkulturore midis pjesëmarrësve shqiptarë dhe bullgarë. Në fokus të ditës ishin orët e mësimit praktik të gjuhës bullgare, të organizuara në dy nivele: fillestar dhe i avancuar, të cilat u zhvilluan në një atmosferë dinamike dhe interaktive.
Në vijim të programit, Dr. Miranda Bello, pedagoge pranë Universitetit “Shenjtorët Kiril dhe Metodij” në Veliko Tërnovo, Bullgari, si dhe lektore e gjuhës dhe kulturës bullgare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, mbajti një referat tematik me titull “Trëndafili – Simboli i Bullgarisë” (Розата – Символ на България).
Përmes këtij prezantimi, studentët u njohën me një aspekt të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore dhe ekonomike bullgare – “Lugina e Trëndafilave”, një rajon me rëndësi kombëtare për Bullgarinë. Ky rajon është i njohur për prodhimin e vajit të trëndafilit, një përbërës i çmuar në industrinë farmaceutike dhe atë të parfumerisë, dhe një nga simbolet identitare më të spikatura të Bullgarisë.
Pjesë e aktivitetit ishte edhe shfaqja e një dokumentari të shkurtër informues, i cili shërbeu si një mjet vizual plotësues për të ilustruar më tej temën e trajtuar. Studentët, shqiptarë dhe bullgarë, u përfshinë në mënyrë aktive në diskutim dhe analizë, duke lexuar materiale përkatëse në të dyja gjuhët, çka ndihmoi në forcimin e kompetencave të tyre gjuhësore dhe në kuptimin e ndërsjellë kulturor.