Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin
📖Në kuadrin e aktiviteteve të javes së Panairit të 28-të të Librit – “Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat” (Ismail Kadare) u zhvillua takimi me autorët e librit “Labirint në tru”, Evans Drishti, Zoje Jakaj (Xhoi) dhe Endri Beqo, të cilët trajtojnë problemet e zhvillimit individual të adoleshentëve.
📚Ky takim u zhvillua në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, në Departamentin e Gjuhëve Sllave e Ballkanike me studentët e Degës së Gjuhës Turke dhe pedagogët e gjuhës turke, Prof. Asoc. Dr. Xhemile Abdiu, Dr. Alban Foçi, Prof. Asoc. Dr. Spartak Kadiu, Msc. Nurjana Demiraj dhe Prof.Asoc. Dr. Adriatik Derjaj.
👉Ky libër i kushtohet adoleshentëve dhe botës së tyre të ndërlikuar, dhe nëpërmjet tregimeve reale e analizave përçon mesazhin për më shumë dëgjim dhe empati ndaj brezit të ri.
Prof.Asoc.Dr. Xhemile Abdiu prezantoi të ftuarit e këtij takimi, Dr. Zoje Jakaj (Xhoi), z. Evans Drishti dhe z. Endri Beqo.
Më pas e mori fjalën Dr. Zoje Jakaj (Xhoi), e cila foli për eksperiencën e saj shumëvjeçare në mësimdhënie, punën me nxënësit, për përgjegjësitë e marra gjatë karrierës së saj në postin e drejtoreshës së burgut të grave, për angazhimet e saj në shoqërinë civile, për libra e shkruar deri më tani dhe në mënyrë të veçantë për librin e shkruar në bashkëpunim me Evans Drishtin dhe Endri Beqo “Labirint në tru”, i cili u prezantua para studentëve dhe pedagogëve të pranishëm. Dr. Zoje Jakaj tha se në një kohë të re sfidash për adoleshentët dhe të rinjtë “Mesazhi kryesor i këtij libri është një thirrje për t’u dëgjuar nga mësuesit, nga prindërit, nga të rinjtë, nga vëllezërit, nga motrat, nga e gjithë shoqëria.”
📖Bashkautori i këtij libri, z. Evans Drishti foli gjerësisht për rëndësinë e familjes dhe të mësuesve në edukimin e adoleshentëve dhe të rinjve, për artin e mësimdhënies, për pasionin e punës me nxënësit dhe të rinjtë, për komunikimin, për empatinë, për nevojën për të dëgjuar adoleshentin-nxënësin-të rinjtë. Me një elokuencë të jashtëzakonshme në prezantimin e tij z. Evans Drishti theksoi se brenda secilit prej nesh ka ende një fëmijë, dhe ky fëmijë nuk lind i keq. Ky fëmijë edukohet nga familja dhe në shkollë dhe se mësuesi ka një rol të jashtëzakonshëm në edukimin e adoleshentit/nxënësit/të rinjve se dhe puna e tij nuk duhet të kufizohet vetëm në minutat e orës së mësimit, duhet të shkoj përtej shpjegimit të temave të mësimit për nxitur punën individuale e krijuese dhe zhvillimin e talentit tek çdo adoleshent/nxënës/të ri, në mënyrë që të kemi një shoqëri të shëndoshë në të ardhmen.
📖Bashkautori z. Enri Beqo, prezantoi punën e tij si mësimdhënës i artit, punët e tij në ekspozita të ndryshme, paraqitjen nëpërmjet karikaturave të evoluimit të njeriut nga libri tek celulari. Ai theksoi rëndësinë e artit në zhvillimin e adoleshentëve/nxënësve/të rinjve larg celularëve dhe botës virtuale, si dhe mesazheve që përcillen në librin “Labirint në tru” përmes artit të karikaturës.
👥Prof.Asoc.Dr. Adriatik Derjaj, Dr.Alban Foçi, Prof. Asoc.Dr. Spartak Kadiu, Msc.Nurjana Demiraj, Prof.Asoc.Dr. Xhemile Abdiu falenderuan autorët e librit “Labirint në tru” për kohën që i kushtuan studentëve dhe pedagogëve të Degës së Gjuhës Turke në Departamentin e Gjuhëve Sllave e Ballkanike të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës dhe për bashkëbisedimin e këndshëm. Studentët e pranishëm i drejtuan pyetje të ndryshme autorëve dhe studentja Bega Dancevska lexoi një pasazh nga ky libër.📖