Më datë 21 Nëntor 2025 do të zhvillohet workshop-i me temë: “Zbatimi i kompetencës komunikuese në praktikën mësimore: Këndvështrimet e mësuesve dhe nxënësve të shkollave të mesme në Shqipëri”.
Në ketë workshop do të prezantohen rezultatet e një hulumtimi të realizuar në terren mbi zbatimin e kurrikulës me bazë kompetencash në mësimdhënien e gjuhëve të huaja në shkollat e mesme të Shqipërisë. Hulumtimi analizon mënyrën se si kompetenca komunikuese përvetësohet dhe zbatohet në praktikën mësimore nga këndvështrimi i mësuesve dhe nxënësve duke nxjerrë në pah problematikat në klasë dhe duke ofruar një bazë për ndërhyrje të mëtejshme për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.
Workshop-i realizohet në kuadër të projektit të AKKSHI: Ndikimi i kurrikulës “Mësimdhënie me bazë kompetencash” në zhvillimin e kompetencës komunikuese e të shprehurit tek nxënësit e gjuhës së huaj në arsimin e mesëm të lartë shqiptar” dhe do të drejtohet nga Prof.Asoc.Dr. Elvana Shtepani dhe Prof.Asoc.Dr Hatixhe Leka. Diskutimi do të fokusohet tek:
Zbatimi i kompetencës komunikuese në klasë;
Praktikat dhe sfidat e mësuesve dhe nxënësve;
Sugjerimet për strategji, qasje dhe aktivitete për përmirësimin e mësimdhënies me bazë kompetencash.
Ky workshop synon të krijojë një hapësirë për shkëmbim professional, reflektim dhe bashkëpunim mes mësimdhënësve dhe studentëve duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies së gjuhëve të huaja në Shqipëri.


