Departamenti i Gjuhës Angleze

HISTORIKU

Departamenti i Gjuhës Angleze (ish-katedra e Gjuhës Angleze) është themeluar në shator të vitit 1960 me nismën e Profesor Skënder Luarasit, përgjegjësi i saj i parë deri në vitin 1965. Fillimisht, programi mësimor synonte kryesisht përgatitjen e mësuesve të ardhshëm të gjuhës angleze dhe gjuhës e letërsisë shqipe për shkollat e mesme dhe tetëvjeçare.  

Në vitin 1972, filloi puna për hartimin e programeve të reja mësimore, si dhe teksteve bazë të shumë lëndëve të reja mesimore, duke mundësuar formësimin jo vetëm si njësi e konsoliduar administrative, por edhe mësimore e shkencore e pavarur. Pedagogët u përqendruan jo vetëm në fushën e mesimdhënies dhe kualifikimit të mësuesve të anglishtes, por edhe në atë të kualifikimit të tyre të mëtejshëm, sidomos në fushën e mbrojtjes së disertacioneve, përpilimit të fjalorëve të ndryshëm, përkthimeve, etj. 

Në mënyrë që të plotësoheshin më mirë kërkesat e kohës, si dhe ato të tregut të punës për specialistë të profilizuar, gjatë periudhës 1997-1998, në vazhdim të përpjekjeve të mëparshme, në Departamentin e Gjuhës Angleze u realizua për herë të parë zhvillimi i planeve dhe programeve të reja mësimore, të cilët parashikonin, krahas përgatitjes së mësuesve të gjuhës angleze, edhe futjen e dy profileve te reja, përkatësisht Përkthim e Interpretim dhe Studime Britanike e Amerikane. Si rezultat, prej vitit 1998, Departamenti i Gjuhës Angleze ofron tre profile të ndryshme: profilin e mësuesisë, përkthimit dhe interpretimit, si dhe atë të studimeve britanike e amerikane. 

Aktualisht, Departamenti ka 4 Profesorë, 11 Profesorë të Asociuar, 21 Doktorë të Shkencave, 5 Doktorantë, 4 Master i Shkencave të cilët, në sajë të formimit dhe kualifikimit të nivelit më të lartë, krahas mësimdhënies në Departament, janë të përfshirë në veprimtari të ndryshme me natyrë zbatuese në fusha të tilla si përkthimi dhe interpretimi, botime, përgatitje e monografive dhe teksteve mësimore, fjalorëve, konsulencë të natyrave të ndryshme gjuhësore, didaktike e pedagogjike, menaxhim të projekteve kombëtare dhe ndërkombëtare, etj. 

Nga Departamenti i Gjuhës Angleze janë diplomuar studentë, të cilët janë shquar me kontributin e tyre në fusha të ndryshme dhe të shumëllojshme të veprimtarisë profesionale dhe shoqërore, si në sektorin publik, kryesisht në politikëbërje, përkthim dhe interpretim, gazetari, diplomaci, mësimdhënie në nivele të ndryshme, etj., si dhe atë jopublik, nëpërmjet bizneseve të tyre të suksesshme. 

Prej vitit 2005, programet e studimit të ciklit të parë, Bachelor, gjatë dy viteve të para të studimit, janë të organizuara si programe me bërthamë të përbashkët, ndërsa në vitin e tretë, studentëve u krijohet mundësia të përzgjedhin ndërmjet tri drejtimeve, përkatësisht: 

Bachelor në Gjuhë Angleze, në të cilin përfshihen lëndë të formimit të përgjithshëm dhe module hyrëse në fushën e mësimdhënies së gjuhës angleze; 

Bachelor në Përkthim dhe Interpretim, në të cilin përfshihen lëndë të formimit të përgjithshëm dhe module formuese në fushën e përkthimit dhe interpretimit; 

Bachelor në Studime Britanike dhe Amerikane, në të cilin përfshihen lëndë të formimit të përgjithshëm dhe module hyrëse në fushën e studimeve kulturore dhe institucionet britanike e amerikane; 

Në vitin 2008, në përputhje me ndryshimet e parashikuara në Ligjin e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë, në bashkëpunim me departamentet e tjera të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, si dhe departamentet e tjera të Fakulteteve të Universitetit të Tiranës, Departamenti i Gjuhës Angleze ofron Programet Master i Shkencave, të cilët mirëpresin jo vetëm studentë të FGJH-së, por edhe të fakulteteve të tjera brenda dhe jashtë vendit, përkatësisht: 

Mësues i Gjuhës Angleze, në të cilin përgatiten mësues të gjuhës angleze për shkollën e mesme të lartë; 

Përkthim teknik-letrar dhe interpretim, në të cilin përgatiten përkthyes dhe/ose interpret për institucione publike dhe private, ndërmjetës shumëgjuhësorë dhe shumëkulturorë në organizma dhe organizata ndërkombëtare, shoqata të huaja dhe vendase,  nëpunës të administratës publike, punonjës pranë OJF-ve të ndryshme, pranë strukturave të pushtetit lokal, ndërmjetës në marrëdhëniet me publikun, shoqërues për grupe turistike brenda dhe jashtë vendit, përkthyes dhe/ose gazetarë për mediat e shkruara dhe elektronike, ndërmjetës shumëgjuhësorë dhe shumëkulturorë në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe diplomacisë; 

Komunikim ndërkulturor dhe turistik trigjuhësh, në të cilin përgatiten ndërmjetës ndërkulturorë në fushën e marrëdhënieve kulturore, në organizata ndërkombëtare, shoqata të huaja dhe vendase, punonjës të administratës publike, në struktura të pushtetit lokal, përkthyes të fushës kulturore, shoqërues për grupe turistike brenda dhe jashtë vendit, menaxherë të agjencive turistike, punonjës në mediet e shkruara dhe elektronike sidomos në fushat kulturore, historike, ndërgjuhësore, etj. 

Duke parë interesimin e studentëve dhe kërkesat e tregut të punës, gjatë vitit akademik 2017-2018, në Departamentin e Gjuhës Angleze filloi për herë të parë Programi i Masterit Profesional me 60 kredite (kohëzgjatje 1-vjeçare). 

Diplomat e mara nga studentët e anglishtes të diplomuar në të tërë ciklet e studimeve në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja njihen në SHBA, Kanada dhe Evropë duke krijuar mundësi për studime të mëtejshme dhe/apo punësim, jo vetëm në drejtimet dhe programet e studimit në FGJH, por në një shumëllojshmëri programesh të tjera studimi. 

Gjatë viteve, Departamenti i Gjuhës Angleze ka pasur marrëdhënie bashkëpunimi me Këshillin Britanik, Ambasadën Amerikane, Korpusin e Paqes, universitete të ndryshme në Evropë dhe më tej, duke u përfshirë në projekte të përbashkëta kualifikuese dhe kërkimore-shkencore. 

Programet e studimit të ciklit të parë, Bachelor

Bachelor në Gjuhë Angleze

Bachelor në Gjuhë Angleze me profil “Përkthim dhe Interpretim”

Bachelor në Gjuhë Angleze me profil “Studime Britanike dhe Amerikane”

Programet e studimit të ciklit të dytë, Master i Shkencave

Master i shkencave në "Mësuesi e Gjuhës Angleze për arsimin e mesëm të lartë"

Master i shkencave në "Përkthim teknik - letrar dhe interpretim"

Master i shkencave në "Gjuhë dhe komunikim ndërkulturor dhe turistik"

Programet e studimit të ciklit të dytë, Master Profesional

Master Profesional në "Përkthim" me profil "Perkthyes"