Më datë 03.02.2025, studentët e Degës së Gjuhës Turke morën pjesë në një leksion të hapur me studiuesin Dr. Eduart Caka me temë “Evlija Çelebiu në shekuj”. Gjatë bashkëbisedimit, Dr. Caka, ndau me studentët njohuri të thelluara për Evlija Çelebiun, udhëtimin e tij, historinë, kulturën, shqipen, shqiptarët dhe shumë elemente të rëndësishme të së shkuarës sonë që duhen studiuar dhe ruajtur për brezat e ardhshëm.
Evlija Çelebiu ka jetuar në Stamboll gjatë shekullit të XVII dhe ka shërbyer si funksionar në Perandorinë Osmane. Ai njihet më së shumti për veprën e tij “Seyahatname”, një udhëpërshkrim i jashtëzakonshëm që përmbledh 40 vite udhëtime, ku shëtiti pothuajse të gjitha territoret e Perandorisë Osmane dhe shtete të tjera të Evropës, duke ofruar informacione të vyera për shoqërinë, historinë, artin, kulturën dhe fenë e atyre vendeve.
Evlija Çelebiu është një figurë intelektuale i cili la pas një vepër që trajton çështje nga fusha dhe shkenca të ndryshme, e vlerësuar nga studiues dhe intelektualë të të gjitha kohërave. Ai flet gjithashtu për hapësirën shqiptare, duke sjellë informacione të rëndësishme historike dhe kulturore të cilave u referohen edhe albanologë si Robert Elsie e të tjerë. Çelebiu është një figurë e njohur për qytetërimin dhe kulturën turke, ndërsa vepra e tij u vlerësua nga UNESCO, e cila e shpalli vitin 2011 si vitin e Evlija Çelebiut.
Falënderojmë studiuesin Dr. Eduart Caka për kohën që u kushtoi studentëve tanë, për bashkëbisedimin e këndshëm dhe njohuritë e rëndësishme që ndau me ne.
Gjithashtu, falënderojmë profesorët e Institutit të Historisë dhe profesorët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja që morën pjesë në bashkëbisedim.
![](https://fgjh.edu.al/wp-content/uploads/2025/02/474896778_1801524057351844_8295987581803332525_n-300x225.jpg)
![](https://fgjh.edu.al/wp-content/uploads/2025/02/475433705_507325795733865_2572616188584379408_n-300x169.jpg)
![](https://fgjh.edu.al/wp-content/uploads/2025/02/475126098_625869196569322_662612081334632113_n-300x225.jpg)