Shoqata e Botuesve dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja organizuan tri konferenca të frytshme për përkthyesit e rinj

📚Në datat 14-15 nëntor 2024, Shoqata e Botuesve dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja organizuan tri konferenca të frytshme për përkthyesit e rinj, me pjesëmarrjen e tre përkthyesve të mirënjohur ku secili prej tyre theksoi aspektet specifike të përkthimit dhe detajet që bëjnë dallimin në realizimin e një përkthimi të saktë dhe të përshtatshëm për audiencën e tij:
📗Ilir Baçi, i cili ndau përvojën e tij mbi sfidat e përdorimit të ligjërimit për ta vendosur rrëfimin në vendin dhe kohën e duhur gjatë përkthimit të romanit “Fëmijët e mesnatës” të Salman Rushdie përballë zgjedhjes së bërë tek “Enigma e një fundi”, një roman i shkruar nga Julian Barnes dhe i përkthyer nga i njëjti përkthyes. Baçi theksoi se përkthimi i veprave të tilla kërkon një kujdes të veçantë për të ruajtur stilin dhe thelbin e autorit, por gjithashtu për të përshtatur ligjërimin me lexuesin shqiptar.
📘Edon Qesari foli për përvojën e tij gjatë përkthimit të “Divani i Stambollit” nga Alessandro Barbero dhe sfidat e përkthimit të letërsisë joartistike. Në qendër të bisedës së tij ishin zgjedhjet që duhet të bëjë përkthyesi përballë vështirësive që has kur përkthimi i drejtohet një publiku të ndryshëm për nga konteksti historik krahasuar me atë të veprës origjinale.
📕Ndërsa në qendër të diskutimeve të përkthyeses Saverina Pasho ishte përkthimi i letërsisë për fëmijë, sfidave dhe vështirësive që paraqet përkthimi që i drejtohet lexuesit të vogël, nëse duhet përshtatur apo jo përkthimi për fëmijë, si duhet ruajtur vepra origjinale nga thjeshtimet dhe hegjemonizimi apo natyralizimi, në emër të ruajtjes së diferencave dhe alteritetit kulturor, përgjegjësia e përkthyesit të letërsisë për fëmijë në edukimin estetik, por edhe në formimin e dijeve të fëmijës i cili ndryshe nga të rriturit nuk ka ende “të vërtetat e tij” dhe është i etur të mësojë. Përkthyesja ndau me studentë e kolegë përvojën e saj shumëvjeçare duke ilustruar tezat dhe këshillat e saj me shembuj të përkthimeve të saj nga frëngjishtja në shqip dhe anasjelltas.
Takimet u gjallëruan nga pyetje të shumta dhe u zhvilluan në një atmosferë interaktive.
📸 Për të parë më shumë foto dhe momente nga konferencat, klikoni në galerinë tonë të postuar më poshtë!