🗓️🏛️Më datë 21 nëntor 2024, ora 10:00, Salla Evropa, Departamenti i Gjuhës Angleze organizoi me sukses Konferencën e 14-të Ndërkombëtare. Prezantimet e dy profesorëve të ftuar, Dr.-Ing.Besim Kabashi lektor në Universitetin Friedrich-Alexander të Erlangen-Nuremberg dhe Kërkues shkencor në Katedrën për Korpuset dhe Gjuhësinë Kompjuterike, dhe Lina Abraitienė, lektore në Kauno Kolegija, kërkuese shkencore në fushën e përkthimit audio-vizual, titrimit, dhe përdorimit të Inteligjencës Artificiale në përkthim u ndoqën me interes nga pjesëmarrësit.
📢Prof. Asoc. Dr. Daniela Hasa në cilësinë e Përgjegjësit të Departamentit hapi konferencën dhe theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj konference, rezultatet e të cilës lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e mësimdhënies. Konferenca u përshëndet nga Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, Dekane e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, e cila nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së elementeve të teknologjisë, veçanërisht zhvillimin e korpuseve gjuhësore dhe gjuhësinë kompjuterike në punimet shkencore dhe në zhvillimet e programeve të reja të studimit, me qëllim që FGJH-ja të jetë sa më pranë risive dhe prurjeve më të fundi të shkencave gjuhësore. Kjo konferencë u përshëndet dhe nga Ieva Brazauskaitė-Zubavičienė, Përgjegjëse e Departamentit të Gjuhëve, Kauno Kolegija, e cila prezantoi dhe bashkëpunimin e ri që është ngritur midis Institucionit të saj dhe Departamentit të Gjuhës Angleze për hapjen e një profili të ri në studimet e ciklit të parë, Bachelor, Gjuhë angleze – Marrëdhënie me Publikun.🤝🏼
Një moment i veçantë ju kushtua dhe profesorëve të këtij departamenti, të cilët kanë dalë në pension, duke ju dhënë një çertifikatë mirënjohjeje në emër të gjithë Departamentit të Gjuhës Angleze.😊
Gjatë konferencës u prezantuan dhe u diskutuan mbi 30 punime shkencore nga kërkues të rinj, doktorantë të regjistruar pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja por edhe pedagogë të ftuar nga Lituania dhe Kosova të cilët sollën për diskutim çështje me interes në fushat gjuhësore, përkthimore, letrare, kulturore dhe reflektime mbi problemet e mësimdhënies së gjuhës angleze në shkollat shqiptare.📓✍🏻
Ky aktivitet është tregues i punës kërkimore shkencore të pedagogëve të Departamentit të Gjuhës Angleze.👏



