Më 16–17 shtator 2026, Prof. Asoc. Dr. Sofia Delijorgji dhe Dr. Aida Zoto morën pjesë në Konferencën e Parë Ndërkombëtare “Mësimdhënia e një gjuhe shtesë për nxënësit shqipfolës”, organizuar nga Departamenti i Gjuhës dhe Civilizimit Grek i Kolegjit Universitar “Logos”, në Shën Vlash, Durrës.
Në kuadër të konferencës, ato prezantuan punimin e përbashkët:
“Strategjitë e të nxënit të fjalorit në klasat e gjuhës greke si gjuhë e dytë: Perspektiva e nxënësve bazuar në nivelet e Kuadrit të Përbashkët Evropian të Referencave për Gjuhët (CEFR)”.
Në konferencë morën pjesë studiues nga universitete të Shqipërisë dhe jashtë saj, duke krijuar një hapësirë të vlefshme për shkëmbimin e rezultateve kërkimore, përvojave dhe qasjeve bashkëkohore në mësimdhënien dhe nxënien e gjuhëve.
Gjithashtu, Prof. Asoc. Dr. Sofia Delijorgji kryesoi Sesionin e Parë të konferencës, kushtuar çështjeve të mësimdhënies së gjuhës greke si gjuhë e dytë dhe si gjuhë shtesë.









