Më 11 maj 2023, pranë Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, të Universitetit të Tiranës, zhvilloi punimet për herë të parë në fushë të terminologjisë së shkencave humane, konferenca shkencore ndërkombëtare me temë bosht: “Terminologjia e fushave humane dhe pasqyrimi i saj në fjalorë” e organizuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja të UT-së përkatësisht Departamenti i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike në bashkëpunim me Akademinë e Studimeve Albanologjike; Universitetin e Sofies “St. Kliment Ohridski” të Bullgarisë dhe me Universitetin e Gjakovës “Fehmi Agani” të Kosovës. Konferenca zhvilloi punimet në prani të një auditori të gjerë akademikësh dhe profesorësh, studiuesish dhe terminologësh, pedagogësh dhe studentësh etj. Gjuhëtarë, terminologë e specialistë të fushave të ndryshme humane të dijes (të drejtësisë, të ekonomisë, të psikologjisë, të shkencave sociale etj.) trajtuan, referuan e diskutuan së bashku në këtë konferencë rreth çështjeve, nënçështjeve përfshirë problematikave gjuhësore, shkencore e teknike të një dege speciale të gjuhësisë, siç është terminologjia e fushave humane në një kontekst sa kombëtar dhe ndërkombëtar.
Konferenca përfshiu 4 seksione të ndara në 2 seanca secili. Në të u mbajtën 2 referate dhe 43 kumtesa nga studiues prej Shqipërisë, Bullgarisë, Italisë, Kosovës dhe Maqedonisë. Gjatë punimeve të saj u prezantuan jo vetëm rezultate të reja të hulumtimit, por edhe u shkëmbyen mendime, këndvështrime e ide të reja kërkimore shkencore mes kapaciteteve të njohura në fushën e leksikut dhe të terminologjisë së fushave humane në marrëdhënie me leksikun e përgjithshëm, terminologjinë shkencore-teknike. Po ashtu, u parashtruan projekte për vijimin e hartimit të fjalorëve terminologjikë dygjuhësh dhe shumëgjuhësh për qëllime përkthimesh si dhe planprojekte për vijimin e hartimit të fjalorëve shpjegues deri në sistemorë me përkufizime.
Botimi i materialeve të kësaj konference u botua në librin e akteve me numër ISBN 9789928470744, i cili është ndihmesë modeste për një rreth të gjerë të interesuarish për terminologjinë, studiuesish që merren posaçërisht me çështje të teorisë së terminologjisë, hartuesve të teksteve mësimore të të gjitha niveleve, hartuesve të fjalorëve terminologjikë e joterminologjikë etj. Gjithashtu, materialet e këtij vëllimi mund të shërbejnë edhe si burim, apo si shtysënxitëse për hulumtime më të thelluara në këtë fushë. Po ashtu, trajtesat e kësaj përmbledhje u shërbejnë edhe studiuesve më të rinj, përfshirë në kualifikimet pasuniversitar, për përgatitjen e temave të masterave e të doktoratave rreth çështjeve të veçanta të leksikut terminologjik dhe dukurive specifike që vihen re në të etj
LIBRI I AKTEVE TË KONFERENCËS SHKENCORE NDËRKOMBËTARE MBI TERMINOLOGJINË E FUSHAVE HUAMANE