Në kuadër të Shkollës Verore të Turizmit dhe Kulturës, në ditën e katërt, studentët e programit Master i Shkencave në Gjuhë dhe Komunikim Ndërkulturor e Turistik, patën një takim pune me z. Rahman Kasa, Kryetarin e Shoqatës Unioni Turistik Shqiptar si edhe me përfaqësues të Agjencisë Turistike “Happy Tours”.
Në një atmosferë shumë mikpritëse, Z. Kasa u dha studentëve një vizion të qartë mbi nevojat e tregut të punës për specialistë në fushën e turizmit si edhe u paraqiti atyre oferta të drejtëpërdrejta punësimi duke u treguar për përparësitë dhe përfitimet që vinë nga ky profesion. Si një ndërmjetës i rëndësishëm turistik, z. Kasa inkurajoi studentët të aplikojnë menjëherë duke dërguar CV-të pranë shoqatës ATU për pozicione/profesione të larmishme pune që ofrohen në fushën e turizmit.
Gjithashtu nga specialistja e agjencisë Happy Tours u trajtua tema “Konceptimi, komunikimi dhe shitja e produkteve turistike”. Prezantimi i qartë u dha studentëve një panoramë të plotë të hapave që duhen ndjekur në krijimin produketeve turistike dhe per promovimin e tyre. Studentët shfaqën interes duke bërë pyetje mbi detajet e profesionit dhe duke diskutuar për eksperiencat e tyre me projektet e kryera në shkollë në lidhje me promovimin e turizmit të vendlindjes së tyre.



