Seminar online me tematikë “Kultura ruse dhe shqiptare në sytë e studentëve”

21 prill, 2021

Studentët e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, të Departamentit të Gjuhëve Sllave e Ballkanike, Dega e Gjuhës Ruse më 21 prill, 2021, me iniciativën e Departamentit të Gjuhëve të Evropës Qendrore dhe Juglindore, të Institutit Shtetëror të Moskës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, (МГИМО), organizuan një seminar online me tematikë “Kultura ruse dhe shqiptare në sytë e studentëve”.

Studentët rusë të Ciklit Master bënë prezantime dhe referime në gjuhën shqipe mbi historinë, arkitekturën dhe traditat kulturore të Moskës, Volgogradit dhe Soçit, ndërsa studentët shqiptarë prezantuan dhe referuan në gjuhën ruse mbi historinë, kulturën, traditat, dhe kuzhinën e qyteteve të Tiranës, Vlorës, Korçës, Sarandës, Pogradecit dhe Durrësit.

Ky seminar shpalosi vlerat historike dhe kulturore të dy vendeve. Takimi online ishte një eksperiencë e bukur dhe tepër mbresëlënëse, pasi përcolli te studentët emocione të veçanta. Seminari u zhvillua në një atmosferë shumë miqësore nga të dy universitetet. Në fund të tij të dy palët shprehën vullnetin dhe dëshirën për një bashkëpunim të mëtejshëm në të ardhmen.