Sot, më 12 korrik 2024, në Shkollën Verore të Bullgarishtes vazhduan orët në gjuhën praktike të gjuhës Bullgare në të dy grupet.

Dr. Olimbi Velaj, pedagoge e Departamenti të Letërsisë, Universiteti “Aleksandër Moisiu”, Durrës, mbajti një ligjëratë me temë: „Një vështrim në letërsinë ballkanike, çështje të të përbashkëtave e dallimeve“.

Ky leksion u mbështet mbi idenë e një letërsie të gadishullit, term që prej dekadash njihet si Letërsi Ballkanike. Duke iu referuar ngjashmërive kulturore, të kaluarës së përbashkët historike nën pushtimin turk, deri te epoka e socializmit, por edhe duke iu referuar folklorit dhe përdorimit të motiveve folklorike në veprat e disa prej autorëve më të njohur ballkanas, trajtimi solli në vëmendje idenë e ekzistencës së një letërsie mbi një shtrat të përbashkët ballkanik.

Duke sjellë argumente pro dhe kundër, çështja e një letërsie ballkanike u trajtua, sidomos lidhur me mënyrën se si autorët i qasen folklorit dhe se si ata arrijnë të bëhen të suksesshëm duke u bazuar në traditat dhe motivet popullore. Autorë si Sllavejkov, Kazanzaqis, Andriq, Kadare  etj, mbështeten mbi trashëgiminë ballkanase dhe përmes një letërsie të tillë arrijnë të bëhen të suksesshëm në nivel botëror. Duke iu referuar folklorit, mitologjisë, por edhe bashkëkohësisë, shkrimtarët nga Ballkani, si Nushiq, Karaxhale, Qemal, Kostandinov, Agolli etj, arrijnë të krijojnë edhe përmes autoironisë portretin e ballkanasit, duke arritur  receptimin e lexuesit përtej gadishullit.

Leksioni mori në shqyrtim edhe mënyrën se si e shohin fqinjin këta autorë në veprat e tyre, pa pretenduar të cekë në mënyrë shteruese këtë, por duke iu referuar disa krahasimeve të trajtimit të motiveve nga secili autor.

Ishte me interes një krahasim me letërsinë latino-amerikane dhe me atë skandinave, sidomos duke iu referuar modeleve të këtyre letërsive dhe receptimit e perceptimit të tyre edhe nga vetë vendasit, jo vetëm nga të huajt.