Sot në Shkollën Verore të Bullgarishtes vazhduan orët në gjuhën praktike të bullgarishtes në dy nivelet, fillestar dhe i avancuar me prof. As. Dr Raqi Bello dhe Dr. Miranda Bello.

Prof. As. Dr. Raqi Bello, pedagog i Universitetit Shën Kiril dhe Metodij i Veliko Tërnovës dhe lektor i gjuhës bullgare në FGJH të Universitetit të Tiranës, mbajti referatin me temë: Historia e formimit të alfabetit bullgar – Glagolik dhe Kirilik (История на българската азбукаГлаголицата и Кирилицата).

Mbi 1100 vjet më parë Bullgaria dhe prijësit e saj e kuptuan rëndësinë e shkronjave dhe peshën e fjalës së shkruar. Me këtë mision të vështirë por me rëndësi jetike për shtetin bullgar u mor vetë princi bullgar, Borisi I (gjysma e I e sh. IX-2 maj 907). Ishte koha kur dy vëllezërit nga rrethinat e Selanikut Kirili (lidur si Kostandin: 826-869) dhe Medoti (815-885) kishin nisur misionin e tyre të përhapjes së shkrimit dhe fenë e krishterë në Moravi. Për këtë qëllim ata kishin hartuar dhe një alfabet të ri, me shkronja të reja i cili ishte unik dhe i ndryshëm nga ai latin dhe grek. Alfabeti u quajt Gllagolica. Për hartimin e tij dhe që ai të bëhej sa më i kuptueshëm për sllavët, ata u bazuan në të folmet e sllavëve bullgarë nga rrethinat e Selanikut, dialekt që ata e njihnin deri në detaje. Princi Boris mirëpret nxënësit e Kirilit dhe Metodit dhe në këtë mënyrë ai shpëton nga zhdukja veprën e tyre të madhe. Kështu alfabeti gllagolica ose gllagolik, i krijuar nga Shën Kirili dhe Shën Metodi diku nga viti 855, u bë alfabeti i parë bullgar. Alfabeti gllagolik dhe shkrimet në gjuhën amtare me këtë alfabet u bënë shtyllat kryesore të shtetit dhe të identitetit shpirtëror të bullgarëve.

Në fund të shekullit të IX në Mbretërinë e Parë Bullgare krijohet alfabeti i dytë bullgar, i njohur si alfabeti cirilik (bullgarisht: Кирилица), i quajtur kështu për nder të Shën Kirilit. Shumë studiues janë të mendimit se mbreti Simeoni i Madh ose Klimenti i Ohrit mund të jenë krijuesit e alfabetit të ri bullgar.

Dy alfabetet bullgare janë një moment i rëndësishëm në historinë e Bullgarisë dhe në botën sllave. Ato ndikuan në krijimin e gjuhës së parë letrare sllave, bullgarishtes së vjetër, e cila u bë gjuha e tretë klasike mesjetare evropiane. Nëpërmjet kësaj gjuhe u lëvrua dhe letërsia e vjetër bullgare, e cila hodhi themelet e një civilizimi të tretë në Evropë, krahas atij grek dhe latin, civilizimit të Ortodoksisë Sllavo-bullgare.

Sot më shumë se 300 milionë njerëz në Evropë dhe Azi përdorin cirilikun si alfabetin e tyre. Përsëri falë Bullgarisë, që nga viti 2007 alfabeti cirilik bullgar u bë sistemi i tretë grafik i Bashkimit Evropian, krahas atij latin dhe grek.