TAKIM KULTUROR ME TEMË “DITA E GJUHËS RUSE”

6 Qershor 2021

Nё kuadёr tё 6 Qershorit – Ditёs sё Gjuhёs Ruse, Dega e Gjuhёs Ruse, në Departamentin e Gjuhëve Sllave e Ballkanike, nё Fakultetin e Gjuhёve tё Huaja, në bashkëpunim me Shoqatën e Miqësisë Shqipëri-Rusi, organizoi në mjediset e FGJH-së njё takim kulturor me temë: “Gjuha Ruse: gjuhë e Pushkinit dhe e afrimit mes kulturave”. Në këtë aktivitet ishin të pranishëm Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja prof. Esmeralda Kromidha, pёrfaqёsues tё universitetit, studentë, ish-studentë, njerёz tё shquar nё fushёn e pёrkthimit dhe kulturёs, pёrfaqёsues tё Shoqatёs sё Miqёsisё Shqipёri-Rusi. Aktivitetin e nderuan me ardhjen e tyre Rektori  i Universitetit të Tiranës z. Artan Hoxha, si dhe Ambasadori  i Federatës Ruse në Shqipëri z. Mikhail Yurevich Afanasiev. Ky takim përmes promovimit të vlerave të gjuhës dhe kulturës ruse në këtë ditë, si pjesë e mësimdhënies në auditoret tona por edhe si trashëgimi në kuadër të diversitetit kulturor të trashëgimisë botërore përcolli emocione dhe mesazhe kuptimplotë për të gjithë pjesëmarrësit, gjithashtu dhe vlera të solidaritetit mes popujve me ndikime në sektorë të tjerë të zhvillimit të shoqërive me impakt të drejtpërdrejtë shoqëror, ekonomik, turistik në të dy vendet. Aktiviteti u mbyll me recitime, mesazhe virtuale përshëndetëse për Ditën e Gjuhës Ruse nga studentë të Degës së Gjuhës Ruse dhe nga studentë të  fakulteteve të tjera.