Në kuadër të ndërkombëtarizimit të programeve studimore si edhe të Marrëveshjes specifike mes Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe Fakultetit Unité de Formation et de Recherche (UFR) des Lettres & des Langues të Universitetit të Poitiesë në Francë, u bë e mundur që për herë të parë, 5 (pesë) studentë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, të kryejnë vitin e dytë të studimeve në Francë, në këtë Universitet.
Dekania e Fakultetit Prof.Dr.Esmeralda Kromidha dhe Përgjegjësja e Departamentit të Gjuhës Frënge, Prof.As.Dr. Alba Frashëri, pritën në Dekanat studentët e programit studimor “Master i Shkencave në Mësuesi e Gjuhës Frënge për arsimin e mesëm të lartë”, që përfitojnë nga kjo bursë studimi duke ju uruar atyre suksese në këtë rrugëtim. Ky shkëmbim përbën një vlerë të shtuar për programin e studimit të Masterit në Mësuesi.