Diplomë Profesionale në “Komunikim Shumëgjuhësh në Institucione dhe Ndërmarrje”

DIPLOMË  PROFESIONALE  NË ‘’KOMUNIKIM  SHUMËGJUHËSH  NË INSITUCIONE DHE NË NDËRMARRJE’’

Titulli akademik i studimit Diplomë Profesionale në ‘’Komunikim Shumëgjuhësh në Institucione dhe Ndërmarrje’’
Cikli i studimit Studime të Ciklit të Dytë
Emri dhe statusi i institucionit Universiteti i Tiranës, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, Institucion Publik
Gjuha e përdorur në mësimdhënie/ provime Gjuhë e huaj B (anglsiht, frëngjisht, italisht, gjermanisht, greqisht, spanjisht, turqisht, rusisht) : (Shqip për lëndë të caktuara)
Kohëzgjatja zyrtare e programit të studimit 2 (dy) vite
Forma e studimit Me kohë të plotë
Kredite 120

Programi mbështetet në një kuadër të qartë ligjor, të përcaktuar nga Ligji Nr. 80/2015 “Për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Institucionet e Arsimit të Lartë në Republikën e Shqipërisë”, konkretisht neni 75, pika 6, i cili parashikon se programet e ciklit të dytë “Master Profesional” organizohen me 60 ose 120 kredite, me kohëzgjatje normale përkatësisht një ose dy vite akademike, referuar nivelit 7 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve (KSHK). Mbi këtë bazë, hapja e këtij programi dyvjeçar (120 kredite) mbështetet drejtpërdrejt në këtë dispozicion ligjor, si dhe në Udhëzimin Nr. 10, datë 25.03.2022, të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, që përcakton kriteret dhe standardet për organizimin e programeve të ciklit të dytë në arsimin e lartë.

Objektivat dhe veprimtaritë formuese të programit të studimit

Programi studimi “Diplomë Profesional” në “Komunikim Shumëgjuhësh në Institucione dhe Ndërmarrje” ofrohet si diplomë ndërdepartamental nga të gjitha Departamentet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, në bashkëpunim me Fakultetin e Ekonomisë dhe Fakultetin e Drejtësisë, dhe synon të formojë një figurë profesionale fleksibël, të aftë të përballojë dinamikën e komunikimit institucional dhe ndërmarrës, duke u ofruar si ndërmjetës midis realiteteve institucionale, administrative dhe prodhuese të ndryshme. Qasja e programit është dinamike dhe zhvillohet me qendër studentin, çka nënkupton se studenti pajiset me njohuri dhe know-how të cilat fillon t’i vërë në praktikë që në auditor, nëpërmjet detyrave të kursit, projekteve apo aspekteve të tjera kërkimore dhe praktike që përmbajnë syllabuset e propozuara në planin mësimor të përbashkët të departamenteve.

Programi është një ndërthurje e teorive dhe praktikave të përdorimit të gjuhës së huaj të aplikuar në funksion të ushtrimit të një profesioni me bazë komunikimin (ndër)gjuhësor, institucional dhe ndërmarrës. Planet e studimit orientuese do ta drejtojnë studentin për marrjen e kompetencave profesionale që mund të shfrytëzohen prej tij në fushën e komunikimit institucional, të diplomacisë, të ndërmarrjes, të organizatave ndërkombëtare dhe të menaxhimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale.

Programi ka këto objektiva:

  • Të përgatisë specialistë me njohuri të thelluara të tematikave institucionale, administrative, ekonomike dhe juridike, të kontekstualizuara sipas realitetit kombëtar dhe evropian. Njohuri të tilla do të zhvillohen me vëmendje të veçantë ndaj problematikave të lidhura me ndërkombëtarizimin e institucioneve dhe ndërmarrjeve dhe me shkëmbimet ndërinstitucionale;
  • Të aftësojë studentët në përdorimin e mjeteve informatike dhe digjitale (CAT tools, platforma menaxhimi projektesh, mjete komunikimi institucional online) në fushat me kompetenca specifike.
Kompetencat

Gjatë kohëzgjatjes së këtij programi studimi, studenti do të përftojë kompetencat e mëposhtme:

  • Aftësi të thelluar për të përftuar njohuri tematike të fushës së komunikimit institucional dhe ndërmarrës, si edhe praktika know-how të cilat i hyjnë në punë gjatë ushtrimit të profesionit si ndërmjetës gjuhësor dhe institucional;
  • Aftësi të thelluar për të paraqitur informacion, koncepte dhe ide në gjuhë të huaj para një auditori dëgjuesish ose lexuesish, në kontekste institucionale dhe profesionale;
  • Kompetencë të lartë të përdorimit të gjuhëve të huaja në nivel të avancuar, në funksione komunikimi institucional dhe diplomatik;
  • Kompetencë të thelluar të të kuptuarit më të mirë të Tjetrit (partnerit institucional apo profesional), të kulturave të ndryshme të huaja;
  • Kompetencë të thelluar të teorive dhe praktikave të komunikimit institucional dhe ndërmarrës, si dhe të negocimit në mënyrë efektive me njërën a disa nga këto gjuhë/kultura;
  • Kompetencë të lartë në përftimin e njohurive dhe praktikave të mira të tematikave administrative, ekonomike, juridike dhe institucionale të vendeve dhe organizatave partnere;
  • Kompetencë të lartë të njohurive që lidhen me disiplina bazë të shkencave shoqërore, ekonomike dhe juridike;
  • Kompetencë të thelluar në konceptimin dhe menaxhimin e projekteve dhe strategjive të komunikimit institucional, me ndihmën e gjuhës së zbatuar në administratë dhe biznes, si edhe strategjive e teknikave të përftuara në auditor;
  • Aftësi të larta për përdorimin e mjeteve informatike dhe telematike (CAT tools, platforma bashkëpunimi, menaxhim dokumentacioni digjital) në fushat me kompetenca specifike;
  • Aftësi të larta komunikuese në postin e koordinatorit/ndërmjetësit institucional në përballjen me individë apo grupe të natyrave të ndryshme dhe të veçanta;
  • Kompetencë të thelluar në njohjen dhe përdorimin e metodologjisë kërkimore në fushën e komunikimit institucional dhe ndërmarrës;
  • Kompetencë të thelluar në zhvillimin e teknikave të kërkimit shkencor, nxjerrjes dhe përpunimit të informacionit të domosdoshëm në fushën e komunikimit shumëgjuhësh institucional.
Mundësitë e punësimit dhe të kualifikimit profesional

Studentëve me formim të tillë, u ofrohen mundësi për punësim në shumë fusha, si:

  • Koordinator/e apo ndërmjetës institucional në institucione që përfshijnë fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare midis vendeve dhe organizatave;
  • Operator dhe kurator i marrëdhënieve ndërkombëtare në administratën publike;
  • Operator dhe kurator i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me publikun në struktura të bashkëpunimit dhe zhvillimit;
  • Operator dhe kurator i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me publikun në entet lokale: zyra Info Point të Ministrisë ose Bashkisë;
  • Operator dhe kurator i marrëdhënieve ndërkombëtare dhe me publikun në organizma dhe organizata ndërkombëtare;
  • Operator dhe kurator i marrëdhënieve ndërkombëtare në shoqata të huaja dhe vendase, delegacione dhe ambasada;
  • Koordinator/e projektesh dhe menaxher/e komunikimi në ndërmarrje shumëkombëshe;
  • Menaxher/e i/e një ndërmarrjeje apo departamenti komunikimi institucional;
Nëpunës në mediet e ndryshme të shkruara dhe elektronike, duke mbuluar sidomos fushat institucionale, diplomatike dhe ekonomike.