Më 7 korrik 2026, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, u hap zyrtarisht edicioni i gjashtë i Shkollës Verore të Gjuhës dhe Kulturës Bullgare, e cila do të zhvillohet deri më 12 korrik 2026.
Kjo nismë organizohet nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaja dhe Departamenti i Gjuhëve Sllave-Ballkanike, në bashkëpunim me Universitetin “Shenjtorët Kirili dhe Metodij” të Veliko Tërnovës, Bullgari, në kuadër të programit të bashkëpunimit ndëruniversitar Erasmus+ dhe me mbështetjen e Ambasadës së Republikës së Bullgarisë në Tiranë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Dr. Miranda Bello, lektore e gjuhës dhe letërsisë bullgare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, vuri në dukje rëndësinë didaktike dhe kulturore të kësaj shkolle, duke ndarë me të pranishmit historikun dhe elementet kryesore të programit mësimor dhe kulturor të saj.
Të pranishmit i përshëndeti dhe Zv. Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Dr. Kristina Sheperi, e cila përgëzoi organizatorët dhe studentët për angazhimin e tyre në këtë nismë që forcon urat e bashkëpunimit akademik dhe kulturor midis Bullgarisë dhe Shqipërisë. Ajo theksoi mbështetjen e vazhdueshme që Fakulteti i Gjuhëve të Huaja, UT, u ka dhënë aktiviteteve ndërkulturore e gjuhësore në kuadër të ndërkombëtarizimit të universitetit.
Prof. Asoc. Dr. Adriatik Derjaj, Përgjegjës i Departamentit të Gjuhëve Sllave-Ballkanike, vlerësoi rëndësinë e veprimtarive ekstrakurrikulare dhe mbështetjen që i është dhënë vazhdimisht gjuhës dhe kulturës bullgare si pjesë integrale e profilit akademik të këtij departamenti.
Prof. Asoc. Dr. Raqi Bello, lektor i ftuar nga Universiteti i Veliko Tërnovës, përcolli përshëndetjet e Rektorit të Universitetit si dhe ndau emocionet dhe vlerësimet e tij mbi rëndësinë e kësaj shkolle. Ai mbajti dhe një ligjëratë me temë: “Alfabetet e gjuhës bullgare – zhvillimi i tyre historik dhe kulturor”.
Në përmbyllje të ceremonisë së hapjes, studentët pjesëmarrës morën dhurata simbolike nga Universiteti i Veliko Tërnovës.
📚🌍 Shkolla Verore vijon të mbetet një urë e rëndësishme komunikimi kulturor dhe akademik, duke promovuar dialogun ndërkulturor, shumëgjuhësinë dhe ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë.






