Forum Shkencor “Sfida dhe Perspektiva për një Fakultet Gjithëpërfshirës”.

Forum Shkencor “Sfida dhe Perspektiva për një Fakultet Gjithëpërfshirës”.

🏫Sot, më 29.02.2024, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja u zhvillua Forumi shkencor me temë “Sfida dhe perspektiva për një Fakultet gjithëpërfshirës”.

Ky forum pati në fokus identifikimin e sfidave që hasen në auditor, në kurrikula, e më gjerë në institucionet e arsimit të lartë lidhur me konceptin e gjithëpërfshirjes në dokumente rregullatore e në zbatimin e tij në praktikë.

📌Praktikat e mira, propozimet konkrete, analizimi i problem-zgjidhjeve për vështirësitë e hasura në bazë të parimeve udhëheqëse si edhe identifikimi i hapave që mund të ndiqen nga të gjithë aktorët e përfshirë në procesin e zbatimit të politikave të gjithëpërfshirjes në arsimin e lartë për të hartuar një kurrikul gjithëpërfshirëse, ishin disa nga temat që u trajtuan në këtë forum.

Gjatë fjalës së saj, dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof.Dr. Esmeralda KROMIDHA, prezantoi vizionin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja që përputhet me strategjinë e Zhvillimit të Universitetit të Tiranës (2023-2028), statistikat e studentëve me aftësi të veçanta të cilët studiojnë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në tre vitet e fundit, strategji dhe praktika për përmirësimin e infrastrukturës si edhe hapjen e programit të ri për interpretimin e gjuhës së shenjave.

📌Panelistët e këtij forumi gjithëpërfshirës edhe në përmbajtje, Zv.Rektorja e Universitetit të Tiranës Prof. Dr. Anila PAPARISTO, Zv.Rektorja e Universitetit Polis, Dr. Merita TOSKA, Prof.Asoc.Dr. Eglantina XHAJA, Prof.Asoc.Dr. Elsa RAKIPLLARI, Prof.Asoc.Dr. Etleva BAJRAMI, Dr. Bizena BIJO, Prof.Asoc.Dr. Linda PUSTINA, Prof. Asoc. Dr. Flamur BIDAJ, Prof. Asoc. Entela HALOÇI, Znj. Xhiliola BIXHEKU, Z.Florian ROJBA, Znj. Marina MARTINI, Prof. Asoc. Dr. Elona TORO, Znj. Stelina NDREU, Znj. Steljona GJIKA, diskutuan rreth politikave, praktikave të mira dhe sfidave të arsimit gjithëpërfshirës. Gjithashtu ata ndanë me të pranishmit eksperiencat e tyre të hasura në kontekstin e Fakultetit/Universitetit/institucionit përkatës që përfaqësonin.
📌Në sesionin përmbyllës, u diskutuan gjetjet e këtij forumi si edhe puna konkrete që mund të bëhet për të rritur cilësinë dhe për të krijuar një frymë gjithëpërfshirëse si edhe ideja e hartimit të një dokumenti rekomandues për zbatimin e gjithëpërfshirjes në arsim.
📌Forumi i sotëm solli fuqizimin e dialogut dhe bashkëpunimin e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja-UT me aktorë të ndryshëm në fushën e arsimit të lartë, pedagogë, studiues, përfaqësues të institucioneve politikëbërëse, përfaqësues të organizatave joqeveritare, punonjës socialë e trajnerë.