Në datat 2 dhe 3 nëntor 2018 Departamenti i Gjuhës Angleze organizoi Konferencën e 11-të ndërkombëtare me temë “New Dimensions and Approaches in English Studies”, në të cilën u mbajtën 51 kumtesa në fushën e gjuhësisë, mësimdhënies dhe metodologjisë së gjuhëve të huaja, studimeve përkthimore, letërsisë, studimeve kulturore dhe komunikimit, të përgatitura nga 58 studiues dhe pedagogë të universiteteve shqiptare dhe të huaja.
Të ftuarve të pranishëm ju uroi mirëseardhjen Përgjegjësi i Departamentit të Anglishtes, Prof. Dr. Viktor Ristani, i cili vuri në dukje rëndësinë e kësaj konference jubilare, duke theksuar, ndër të tjera, ndihmesën dhe mbështetjen e Dekanit të FGJH-së, Ambasadës së Shteteve të Bashkuara dhe Këshillit Britanik për Departamentin e Gjuhës Angleze, veprimtarinë mësimore e kërkimore-shkencore të Departamentit të Anglishtes, bashkëpunimet dhe veprimtaritë e përbashkëta me universitete të ndryshme evropiane dhe më gjerë, organizimin për herë të parë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Konferencës së Studentëve.
Në seancën plenare ishin të pranishëm Dekani i Fakultetit të Gjuhëve të Huaja Prof.Dr. Artur Sula, i cili në fjalën përshëndetëse, duke falenderuar organizatorët e kësaj konference, theksoi rëndësinë e Departamentin e Anglishtes, jo vetëm për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, por edhe për Universitetin e Tiranës, si dhe vuri në dukje bashkëpunimin e qëndrueshëm me Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Tiranë dhe Këshillin Britanik në Tiranë. Vëmendje e veantë në vlerësimet e Prof. Sula për Departamentin e Anglishtes ju kushtua edhe përfshirjes së Departamentit të Anglishtes në bashkëpunime dhe shkëmbime të shumta gjatë periudhës ndërmjet dy konferencave me universitetet evropiane dhe më gjerë në kuadrin e Programeve ERASMUS + dhe CEEPUS, si dhe përfshirjes së shpejti në Projekte bashkëpunimi me Universitetin e Pecs, Hungari.
Gjithashtu, në këtë kontekst, u vlerësuan përpjekjet e vazhdueshme në përmbushjen e synimeve për një proces mësimdhënie dhe edukimi sa më të mirë të studentëve në përballimin e sfidave në të ardhmen. Bashkëpunimet e mëparëshme, si dhe bashkëpunimet e mundëshme në të ardhmen, u vlerësuan si ndihmesë në sigurimin dhe menaxhimin e cilësisë së duhur të përgatitjes së studentëve në përputhje me kërkesat e tregut kombëtar, rajonal e ndërkombëtar të punës.
Në këtë konferencë ishin të ftuar si referues kryesorë në seancën plenare profesorët dhe kërkuesit e mirënjohur Prof. Dr. Shpresa QATIPI me kumtesën ” Ishte Fjala….është Fjala! Komunikimi përmes Fjalës…një vështrim mbi fjalët e urta Biblike” dhe profesoresha amerikane Aileen HALE, PhD me kumtesën ” Differentiating language acquisition from language learning – the what, why, and how”.
Pjesëmarrësit vazhduan më tej me referimet e temave të përgatitura dhe diskutimet në seanca të njëkohësishme sipas fushave studimore dhe kërkimore-shkencore të veçanta, të shoqëruar nga pyetje, diskutime dhe sugjerime për të ardhmen e kërkimit shkencor në këtë fushë. Konferenca dhe kumtesat e natyrave dhe fushave të ndryshme të studimeve të gjuhës angleze i shërbyen studiuesve, veçanërisht kërkuesve të rinj dhe studentëve të Programeve Master i Shkencave në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të cilët ndoqën me interes disa prej këtyre seancave, mësimdhënësve të gjuhës angleze, si dhe grupeve të ndryshme të interesit në institucionet e arsimit të lartë në shkëmbimin e përvojave të tyre, forcimit dhe thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit profesional dhe ndërinstitucional, si edhe zgjerimit të rrjetit të bashkëpunimit profesional e ndërpersonal në këtë fushë të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.