Në datat 25 dhe 26 tetor 2019 Departamenti i Gjuhës Angleze organizoi Konferencën e 12-të ndërkombëtare me temë “New Dimensions and Approaches in English Studies”, në të cilën u mbajtë kumtesa në fushën e mësimdhënies e metodologjisë së gjuhëve të huaja, studimeve përkthimore, letërsisë dhe studimeve kulturore, të përgatitura nga studiues dhe pedagogë të universiteteve shqiptare dhe të huaja.
Të ftuarve të pranishëm ju uroi mirëseardhjen Përgjegjësi i Departamentit të Anglishtes, Prof. Dr. Viktor Ristani, i cili vuri në dukje rëndësinë e kësaj konference, duke theksuar, ndër të tjera, ndihmesën dhe mbështetjen e Dekanit të FGJH-së dhe Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për Departamentin e Gjuhës Angleze, veprimtarinë mësimore e kërkimore-shkencore të Departamentit të Anglishtes, bashkëpunimet, shkëmbimet e studentëve e pedagogëve, veprimtaritë e përbashkëta me universitete të ndryshme evropiane, në kuadrin e Programeve të shkëmbimit ERASMUS + and CEEPUS, të tillë si Universiteti i Pecs, Hungari, Universiteti i Bologna Italy, Universiteti i Valladolid, Spain, Universiteti i Hacettepe, Universiteti Mehmet Akif Ersoy, Turqi, Universiteti Kodolanyi Janos, Hungari, organizimin për herë të dytë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Konferencës së Studentëve të Departamentit të Anglishtes.
U theksua kontributi i veçantë gjatë vitit akademik 2018-2019 i Aileen HALE, PhD, specialiste e gjuhës angleze, Departamenti Amerikan i Shtetit, në kuadrin e projektit të mbështetur nga Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Ambasadën Amerikane në Tiranë, si dhe folëse kryesore në konferencat ndërkombëtare të organizuara nga Departamenti i Anglishtes.
Në seancën plenare ishte e pranishëm zv.Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja dhe pedagoge e Departamentit tonë, Dr. Rudina Vrioni, e cila në fjalën përshëndetëse, duke falenderuar organizatorët e konferencës, theksoi rëndësinë e Departamentit të Anglishtes, jo vetëm për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, por edhe për Universitetin e Tiranës, si dhe vuri në dukje bashkëpunimin e qëndrueshëm me Zyrën e Marrëdhënieve me Publikun të Ambasadës Amerikane në Tiranë. Vëmendje e veçantë në vlerësimet e Dr. Vrioni për Departamentin e Anglishtes ju kushtua edhe përfshirjes së Departamentit të Anglishtes në bashkëpunime dhe shkëmbime të shumta të studentëve dhe pedagogëve, gjatë periudhës ndërmjet dy konferencave, me universitetet evropiane dhe më gjerë në kuadrin e Programeve ERASMUS + dhe CEEPUS
Studentë të gjuhës angleze përshëndetën me performancë artistike pjesëmarrësit në konferencë.
Në këtë konferencë ishte e ftuar si referuese kryesore në seancën plenare profesoresha amerikane Aileen HALE, PhD, specialiste e gjuhës angleze, Departamenti Amerikan i Shtetit, me kumtesën “The Gift of Albanians”.
Pjesëmarrësit vazhduan më tej me referimet e temave të përgatitura dhe diskutimet në seanca të njëkohësishme sipas fushave studimore dhe kërkimore-shkencore të veçanta, të shoqëruar nga pyetje, diskutime dhe sugjerime për të ardhmen e kërkimit shkencor në këtë fushë. Konferenca dhe kumtesat e natyrave dhe fushave të ndryshme të studimeve të gjuhës angleze i shërbyen studiuesve, veçanërisht kërkuesve të rinj dhe studentëve të Programeve Master i Shkencave në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, të cilët ndoqën me interes disa prej këtyre seancave, mësimdhënësve të gjuhës angleze, si dhe grupeve të ndryshme të interesit në institucionet e arsimit të lartë në shkëmbimin e përvojave të tyre, forcimit dhe thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit profesional dhe ndërinstitucional, si edhe zgjerimit të rrjetit të bashkëpunimit profesional e ndërpersonal në këtë fushë të mësimdhënies dhe kërkimit shkencor.
DEPARTAMENTI I GJUHËS ANGLEZE