Më datë 08.11.2024, patëm kënaqësinë të mirëpresim në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja mbi 40 profesorë nga 10 universitete të huaja: që nga Kazakistani e deri në Teksas, SHBA, të cilët u mblodhën në Kongresin Ndërkontinental “Gjuha Turke urë Ballkanike dhe Mesdhetare” të organizuar nga Dega e Gjuhës Turke, Departamenti i Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës Turke të Universitetit të Nikosisë në Qipro.
Në fjalën e saj, Dekania Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, përgëzoi turkologët qipriotë dhe studiuesit e huaj për kontributet e tyre dhe vuri theksin tek përpjekjet që Fakulteti i Gjuhëve të Huaja po bën për ndërkombëtarizimin. Ajo theksoi rëndësinë e këtij procesi dhe shprehu dëshirën për mbështetje në çdo drejtim të nevojshëm për zhvillimin e Departamentit të Gjuhës Turke e më gjerë.
Profesor Theocharis Starides, drejtues i Departamentit të Turqishtes dhe Studimeve të Lindjes së Mesme, Universiteti i Qipros, në fjalën e tij u ndal tek vlerat që kanë takimet shkencore për pasurimin e dijeve të stafit akademik dhe studiuesve të rinj, duke theksuar nevojën për shkëmbime idesh dhe përvojash)
Prof. Asoc. Dr. Adriatik Derjaj, Përgjegjës i Departamentit të Gjuhëve Sllave dhe Ballkanike, në fjalën e tij vuri theksin tek përpjekjet disa vjeçare të stafit të FGJH-së, të cilët i kanë dhënë didaktikës së turqishtes dhe promovimit të saj veprimtari shumë të çmuara.
Ligjëratat në lidhje me glosodidaktikën dhe fusha te tjera si sociolinguistika, leksikologjia, leksikografia, kontaktet gjuhësore dhe dialektologjia, që lidhen me mësimdhënien e turqishtes si gjuhë e huaj, janë një hallkë e rëndësishme në zhvillimin e studimeve turkologjike, duke vazhduar traditën që nga Konsulta e Prishtinës më 1968, Kongresit të Drejtshkrimit më 1972, e më tej. Temat e turqishtes dhe turkologjisë kanë qenë gjithmonë në qendër të studimeve të dijetarëve të shquar si Çabej, Kostallari, Dizdari, etj. Turqizmat dhe elementet leksiko-gramatikore të përbashkëta ndërmjet turqishtes dhe rajoneve ballkanike e mesdhetare, mbeten pasuria më e vyer që na bashkon.
Rezultatet e Kongresit të cilat kanë marrë akreditimin e autoritetit absolut të 10 universiteteve, do t’i paraqiten institucionit më të lartë të Turqishtes TDK dhe YOK, dhe do të jenë e vetmja pikë e saktë referimi për studiuesit e rinj.





