Leksion i hapur me Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë SH.T. Z. DANCHO MARKOVSKI

Ditën e sotme, në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja patëm kënaqësinë të kishim mes nesh për të mbajtur një leksion të hapur, Ambasadorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë SH.T. Z. DANCHO MARKOVSKI. Tema e leksionit të hapur “Macedonian-Albanian relations, present and future” ngjalli interesin e studentëve dhe pedagogëve të pranishëm në Sallën Evropa.

Në fjalën e saj të hapjes, Dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha u ndal tek rëndësia e bashkëpunimit akademik në rajonin e Ballkanit Perëndimor, roli i fqinjësisë së mirë në përmirësimin e marrëdhënieve në rajon në drejtim të respektimit të vlerave të demokracisë dhe respektimit të pakicave kombëtare, të pranishme në të dy vendet.

SH.T., Prof.Dr. DANCHO MARKOVSKI, bëri një panoramë sa kronologjike aq edhe aktuale të zhvillimit të marrëdhënieve mes dy vendeve fqinje. Në ligjërimin e tij, Z. Ambasador, nxori në pah rrugëtimin e përbashkët të dy vendeve drejt anëtarësimit në strukturat euroatlantike, përpjekjet e vazhdueshme për gjetjen e dialogut politik gjatë dakordësimit të marrëveshjeve reciproke (njohja e diplomave, njohja e patentave, marrëveshje ekonomike, heqja e vizave, etj.) në të gjithë sektorët e veprimtarisë ndërshtetërore që kanë shënuar standarde të reja në komunikimin mes vendeve. Z. Ambasador iu përgjigj pyetjeve të studentëve të pranishëm në sallë në lidhje me vijimësinë e këtyre marrëdhënieve, në përgjigjet e të cilave, u theksua roli faktorizues i dy vendeve në ndërtimin e një rajoni të qetë e të qëndrueshëm si edhe i të rinjve në ndërtimin e vendeve të tyre respektive.

Në fund të leksionit, studentët u inkurajuan të njohin sa më mirë fqinjët e tyre, të punojnë fort për ndërtimin e atdheut të tyre si edhe iu shpërndanë broshura turistike të trashëgimisë kulturore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.