Në ditën e fundit të Shkollës Verore Kulturë dhe Turizëm u zhvillua një ceremoni përmbyllëse në ambjentet e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Dekani i Fakultetit Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, studentët pjesëmarrës në programin e Shkollës Verore të Turizmit dhe Kulturës, pedagogët që udhëhoqën studentët gjatë gjithë zhvillimit të kësaj shkolle, Prof. Asoc Dr. Ardiana Kastrati dhe Dr. Albana Shijaku dhe stafi mbështetës.
Në fjalën e saj përshëndetëse Dekania e FGJH-së, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, garantoi mbështetjen që do t’u jepet gjithmonë studentëve si edhe dialogun që do të ketë midis strukturave drejtuese dhe studentëve. Ajo inkurajoi studentet të jenë proaktiv jo vetëm në sigurimin e cilësisë në procesin e mësimdhënies, por edhe në ofrimin e ideve dhe bashkëpunimit për të vënë në praktikë dijet e tyre.
Studentët ishin të kënaqur nga organizimi i kësaj shkolle verore që i vjen në ndihmë programit të tyre të studimit në Masterin Shkencor Gjuhë, Komunikim Ndërkulturor e Turistik dhe e vlerësuan si një eksperiencë të vlefshme që do të shërbejë si një urë bashkëpunimi me ndërmarrjet, bizneset, kompanitë dhe agjencitë turistike dhe ato të eventeve e përkthimeve për praktika mësimore por edhe për punësim.
Në fund të ceremonisë studentëve ju shpërndanë Certifikatat e Pjesëmarrjes.