Në datat 10-15 tetor 2023 studentët e Universitetit Pedagogjik të Schwyz në Zvicër ishin të pranishëm në Shqipëri në kuadër të projektit ndërkombëtar „PEER-Net“ të iniciuar nga Universiteti i Zyrihut dhe zhvilluan mësim në fushën e komunikimit ndërkulturor. Ata u mirëpritën nga dekania e Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Prof. Dr. Esmeralda Kromidha, zv. dekania Dr. Drita Rira, Drejtuesja e Departamentit të Gjuhës Gjermane Dr. Marsela Likaj dhe Prof.as. Dr. Ema Kristo. Nga Universiteti i Schwyz në Zvicër ishin prezente Prof. Naxhi Selimi dhe Prof. Illya Arnet. Dekania theksoi se ky projekt është një hap shumë i rëndësishëm, duke e cilësuar si një shembull të shkëlqyeshëm të bashkëpunimit midis universiteteve dhe një demonstrim të rëndësisë së diversitetit në arsim.
Projekti “PEER-Net – Rrjeti i shkëmbimit të kolegëve në edukimin e mësuesve” thekson vlerën e bashkëpunimit ndërkombëtar. Ky projekt synon thellimin e lidhjeve mes universiteteve në Zvicër, Shqipëri, Egjipt, Kosovë dhe Tunizi, të gjitha me një synim të përbashkët – përmirësimin e cilësisë së arsimit. Në projekt morën pjesë 10 studentë të departamentit të gjuhës gjermane dhe 10 studentë të Universitetit pedagogjik Schwyz. Studentët ndoqën gjatë një jave seminare dhe workshope të përbashkëta dhe njohën më pranë kulturat dhe traditat e dy vendeve.
Bashkëpunimi mes docentëve dhe studentëve nga vendet e ndryshme ofron një perspektivë më të gjerë dhe pasuruese për të gjithë ata që janë të përfshirë. Ky është një hap i rëndësishëm drejt një arsimi më të përshtatshëm për një shoqëri globale, ku diversiteti është një pasuri. Ky projekt nxiti këmbimin e ideve dhe përvojave në mësimdhënie ndërmjet universiteteve, duke kontribuar në ndërtimin e një edukimi më të pasur dhe të përshtatshëm për realitetet e reja globale.

📚Project PEER-net, Tirana-Goldau 2023

Në datat 🗓 10-15 tetor 2023 studentët e 🏫Universitetit Pedagogjik të Schwyz në…

Posted by Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i UT-së – Faqja zyrtare on Thursday, October 19, 2023