Urimi i Dekanatit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja për fillimin e vitit akademik 2021-2022

Urimi i Dekanatit të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja për fillimin e vitit akademik 2021-2022.

Të dashur studentë,

Urojmë të jeni mirë Ju personalisht dhe familjet tuaja!

Dita e hënë, 18 tetor 2021 shënon për një pjesë nga Ju ditën e parë të studimeve në Universitet.

Është e vërtetë se me ardhjen e pandemisë, kohët kanë qenë të vështira për të gjithë ne. Pedagogë, studentë, staf administrativ u munduam të përshtatemi dhe t’ i kapërcejmë vështirësitë! Falenderues për punën e personelit akademik, për studentët, strukturat tona, të cilët u solidarizuan në një situatë kaq të vështirë për gjithë njerëzimin.

Në këtë prag fillimi të vitit të ri akademik, shprehim konsideratën tonë për të gjithë ata maturantë që iu bashkuan Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, Fakultetit të vërtetë evropian që i ofron të gjitha programet e studimit në gjuhë të huaja. Si për Ju dhe për ata që ndjekin studimet në vitin e dytë e tretë Bachelor si edhe programet e studimit Master, një diplomë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja është një urë e sigurt drejt tregut të punës shqiptar, evropian e ndërkombëtar. Të studiosh gjuhë të huaja do të thotë të hapësh perspektiva sa personale aq edhe profesionale, do të thotë ta njohësh thellë edhe kulturat e huaja, do të thotë të kuptosh më mirë Tjetrin e të jesh i pranuar nga Tjetri.

Programet studimore që keni zgjedhur, do të bëjnë që Ju të jeni një prej specialistëve të lartë njohës e përdorues shumë të mirë të gjuhëve të huaja;

?‍?Ju që do uleni në auditore nesër do të jeni mësuesit e ardhshëm të brezave më të rinj;

?Ju do të jeni ekspertët e komunikimit turistik që do të afroni turistët e huaj me peizazhin dhe natyrën e mrekullueshme Shqiptare;

?Ju do të jeni përkthyesit dhe interpretët që do t’i shërbeni lidhjes së vazhdueshme të Shqipërisë me botën e huaj;

?Ju që do të sillni letërsinë e huaj në shqipe dhe që letërsinë shqipe do ta udhëtoni edhe në botë!

Në Fakultetin tuaj, do të gjeni standarde të larta në mësimdhënie, infrastrukturë bashkëkohore, staf akademik të përgatitur në universitetet ndërkombëtare. Do të keni mundësi të bëheni pjesë e programeve ERASMUS+ ku më të mirët prej jush do të kryejnë së paku një semestër në një prej universiteteve evropiane. Klubet studentore do të gjallërojnë jetën tuaj dhe do të forcojnë solidaritetin mes jush dhe komunitetit që i përkisni. Do të gjeni një komunikim profesional me strukturat ndihmëse të Fakultetit.

Të dashur studentë,

Mirë se vini në familjen tonë të madhe, Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Fakultetin e Vërtetë Ndërkombëtar!

Të gjithë së bashku, duke respektuar rregullat në fuqi për mbrojtjen e shëndetit, do t’ia dalim t’i kthehemi normalitetit.

Suksese në rrugën e dijes !