Aktivitet i grupit mësimor-kërkimor “Letërsi dhe Qytetërim i gjuhës gjermane “.
Në Ditën Botërore të Librit, më datën 23 prill 2024, në sallën “Europa” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja (FGJH), u zhvillua aktiviteti në kujtim të shkrimtarit të shquar Franz Kafka mbi veprat e tij më të njohura “Letra Milenës” dhe “Letër Babait”. Studentët e Departamentit të Gjuhës Gjermane realizuan lexime të shkëlqyera në gjuhën origjinale gjermane dhe në përkthimin e tyre në gjuhën shqipe.
Aktiviteti u pasurua edhe më tej me prezantime të mbushura me informacione të rëndësishme rreth jetës dhe veprës së shkrimtarit të famshëm nga nxënësit e projektit gjerman të gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët ofruan një analizë të thellë, si edhe një interpretim të një pjese të veprës së tij më të njohur “Metamorfoza”.
Sfidat aktuale të përkthimit të letërsisë në përgjithësi dhe të veprave të Kafka-s në veçanti u trajtuan nga përkthyesit Prof. as. dr. Marsela Likaj dhe Dr. Edvin Cami, të cilët shpalosën përvojën e tyre dhe diskutuan rreth rëndësisë së përkthimit në transmetimin e mesazheve të autorëve të mëdhenj tek lexuesit e gjuhëve të ndryshme, duke na kujtuar kështu se autorët e mëdhenj bëhen të dashur për lexuesit edhe përmes përkthimit.
Në fund, u vazhdua me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në kuadër të konkursit “Përkthimi më i mirë” për studentët që morën pjesë në konkursin e përkthimit, çka shënoi edhe një moment frymëzimi për të gjithë pjesëmarrësit. E pranishme në këtë aktivitet ishte Znj. Eljana Mankollari, Atashe Kulturor i Ambasadës Austriake në Tiranë, e cila dhuroi për Departamentin e Gjuhës Gjermane një botimin të veçantë të revistës “Lichtungen“ dedikuar autorit Lasgush Poradeci. Ky organizim i shkëlqyer erdhi si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të grupeve mësimore-kërkimore “Letërsi dhe Qytetërim i Gjuhës Gjermane” dhe “Përkthim dhe Interpretim” të Departamentit të Gjuhës Gjermane.