📝Aktivitet i grupit mësimor-kërkimor “Letërsi dhe Qytetërim i gjuhës gjermane “.
📚Në Ditën Botërore të Librit, më datën 23 prill 2024, në sallën “Europa” të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja (FGJH), u zhvillua aktiviteti në kujtim të shkrimtarit të shquar Franz Kafka mbi veprat e tij më të njohura “Letra Milenës” dhe “Letër Babait”. Studentët e Departamentit të Gjuhës Gjermane realizuan lexime të shkëlqyera në gjuhën origjinale gjermane dhe në përkthimin e tyre në gjuhën shqipe.
📌Aktiviteti u pasurua edhe më tej me prezantime të mbushura me informacione të rëndësishme rreth jetës dhe veprës së shkrimtarit të famshëm nga nxënësit e projektit gjerman të gjimnazit “Sami Frashëri”, të cilët ofruan një analizë të thellë, si edhe një interpretim të një pjese të veprës së tij më të njohur “Metamorfoza”.
📌Sfidat aktuale të përkthimit të letërsisë në përgjithësi dhe të veprave të Kafka-s në veçanti u trajtuan nga përkthyesit Prof. as. dr. Marsela Likaj dhe Dr. Edvin Cami, të cilët shpalosën përvojën e tyre dhe diskutuan rreth rëndësisë së përkthimit në transmetimin e mesazheve të autorëve të mëdhenj tek lexuesit e gjuhëve të ndryshme, duke na kujtuar kështu se autorët e mëdhenj bëhen të dashur për lexuesit edhe përmes përkthimit.
📌Në fund, u vazhdua me ceremoninë e ndarjes së çmimeve në kuadër të konkursit “Përkthimi më i mirë” për studentët që morën pjesë në konkursin e përkthimit, çka shënoi edhe një moment frymëzimi për të gjithë pjesëmarrësit. E pranishme në këtë aktivitet ishte Znj. Eljana Mankollari, Atashe Kulturor i Ambasadës Austriake në Tiranë, e cila dhuroi për Departamentin e Gjuhës Gjermane një botimin të veçantë të revistës “Lichtungen“ dedikuar autorit Lasgush Poradeci. Ky organizim i shkëlqyer erdhi si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të grupeve mësimore-kërkimore “Letërsi dhe Qytetërim i Gjuhës Gjermane” dhe “Përkthim dhe Interpretim” të Departamentit të Gjuhës Gjermane.