Konferenca Shkencore Ndërkombëtare:
“Ridimensionimi i mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në dinamikat e një realiteti të ri”

Vendi i organizimit: Fakulteti i Gjuhёve tё Huaja, Tiranё, Shqipёri 

Data: Dhjetor, 2021

Na ishte një herë ngjyra e të thënit…”

Dylan Thomas, Poezi, Torino, Einaudi 2002

 

Nevoja për ridimensionimin e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor në spektrin e gjuhëve të huaja u bë edhe më e ngutshme, edhe më e domosdoshme në kushtet e distancimit social. Shoqëria u shpërbë në individë, ndërsa individët u rigrupuan në një komunitet virtual. Një ndryshim i përmasave të tilla nuk kishte si të mos shfaqej edhe në fushën e mësimdhënies dhe kërkimit shkencor, ku ligjërimi dhe komunikimi u përshtatën me realitetetin ku ndodheshin; lindën nevoja të reja dhe pa dyshim mënyra dhe mjete alternative mësimdhënieje dhe komunikimi. Ndryshoi kështu, jo vetëm ajo që Thomas e quante “ngjyra e të thënit”, semantika e fjalës që përçon ndjesinë, por edhe “mënyra e të bërit”, qё do tё thotё mënyra se si ne i përcjellim këto kumte.

Duke qenë se shekulli i ri imponoi një frymë rinovimi, jo vetëm përmes krizës, por edhe përmes kërkesave të tregut, strategjitë dhe kërkimi universitar veçanërisht u fokusuan në përshtatjen më të mirë të profesioneve të gjuhëve nё kёtё panoramikё tё re të tregut të punës. Ne synojmë ta bëjmë mjedisin universitar një vend më të volitshёm dhe më të hapur për studentët që dëshirojnë t’i konfirmojnë dijet dhe përvojën e tyre në një treg pune gjithnjë e më konkurrues.

Në këtë kontekst, Fakulteti i Gjuhëve të Huaja i Universitetit të Tiranës organizon një konferencë shkencore ndërkombëtare ku fton studiues, pedagogë dhe ekspertë të paraqesin punimet e tyre për të shkëmbyer përvojat më të mira si edhe për të propozuar veprime konkrete dhe qasje tё reja në fushën e mësimdhënies dhe të kërkimit, tё cilat do tё ndihmojnё për t’iu përgjigjur me sukses dhe efikasesit zhvillimeve teknologjike tё shoqërisё së shekullit XXI.

Kjo konferencë, artikulohet në pesë akse, duke sjellё studime kërkimore në fushat e mëposhtme:

Gjuhësi e komunikim: – Studimi i thelluar i gjuhësisë si shkencë më vete gjatë gjysmës së parë të shekullit XX ia ka lënë vendin sot gjithnjë e më shumë, studimeve të gjuhësisë së zbatuar. Autonomia dhe zhvillimi i shumë disiplinave si pёrkthimi, komunkimi, didaktika, gjuhësia informatike etj., ku gjuha mbetet tema dhe objekti i studimit, shtruan nevojën e ridimensionimit global dhe kontekstual, ndërveprues dhe eksperimental të shkencave gjuhësore.

Për më tepër, në kontekstin aktual, gjuha si mjet i përbashkët që lidh komunitetet pa kufij gjeografikë, gjuha e përfshirjes së Tjetrit, mori një rol parësor në komunikimin e një bote gjithnjë e më të hapur dhe gjithnjë e më të rrezikuar nga izolimi.

Përballja e Gjuhës me “gjuhët” e përdorura në rrjetet sociale ka shtruar sot nevojën e një analize gjuhësore të praktikave të reja komunikative, të cilat kanë vënë në dyshim normën gjuhësore. Rrjetet sociale dhe shfaqja e një komuniteti të ri gjuhёsor kanë prodhuar norma dhe shprehi të reja apo dhe shmangie tё normёs. Shumёgjuhёsia në rrjete sociale, përshtatja e të rinjve me kontekste të reja gjuhësore, sociale e kulturore, ka sjellë risi gjuhësore dhe shkëmbime më të pasura kulturore. Nga ana tjetër, përdorimi i internetit, komunikimi nёpёrmjet rrjeteve sociale si një shprehje e pragmatizmit gjuhёsor ka kёrkuar pёr pasojё pёrdorimin eforma tё reja gjuhësore (si fjalor i kufizuar, shkurtime, neologjizma, gabime gramatikore, ortografike e të tjera). Pyetjet që ne shtrojmë dhe fokusi i diskutimeve tona do të jenë:

– Gjuha përballë ndryshimeve shoqërore dhe kulturore; raporti i saj me “gjuhët” e pёrdorura nё rrjetet sociale

– Komunikimi në rrjete sociale- njёsim i gjuhës dhe kulturës apo pasurim i tyre në një formë të re?

– Gjuhësia komjuterike: roli i mjeteve dhe i metodave informatike në vërtetimin e hipotezave gjuhësore

– Analiza gjuhësore e korpuseve në funksion të përdorimeve profesionale dhe didaktike

  1. Didaktika e gjuhëve të huaja: – Sfidat, strategjitë dhe perspektivat e reja që dikton një epokë e re, kërkojnë përdorimin e praktikave më të mira të mësimdhёnies nё distancёsi një mjet i arsimit të së ardhmes dhe integrimit të figurave të reja profesionale në tregun dinamik të punës. Situata e vёshtirё e krijuar nga pandemia, nxori në pah kërkesën për trajnimin e mësuesve dhe formimin e mësuesve të ardhshëm më aftësi më të mira në teknologjitë e komunikimit dhe informacionit. Kjo shtron para nesh pyetjet se si duhet rikonceptuar formimi i mësuesve të ardhshëm, si të pasurohen njohuritё dhe aftësitë e tyre me metodologjitë dhe praktikat e mësimdhënies nëpërmjet teknologjisë digjitale dhe qasjeve ndërvepruese në mësimdhënien në distancë. Në fokusin e tematikave tona didaktike do të jenë:

– strategjitë e të nxënit, metodologjitë e mёsimdhёnies dhe ndërveprimi

– situata/praktika në auditor dhe/ose nё distancё

– përshtatja me kontekstin dhe nxёnёsin/studentin në procesin mësimor

trajnimi dhe aftësimi i mësuesve për të siguruar ndër tё tjera edhe mirëqenien  psikologjike të mësuesve dhe të nxënësve/studentёve nё kushtet e pandemisё

Letërsi: Letërsia është konsideruar shpesh si “shprehje e shoqërisë” (Louis de Bonald), por edhe si një parashikim apo parathënie e gjendjes shoqërore. Kështu, në kushtet e pandemisë, lexuesit e gjetën veten si në kontekstin kamyzian të Murtajës dhe leximi mori një rol shumë të rëndësishëm. Evokimi i Epidemisë në letërsi nga Murtaja e Kamys te Nemesis i Ph. Roth, është një motiv i vjetër letrar që na fton aktualisht të reflektojmë:

–  mbi gjendjen njerëzore, përballjen e njeriut me të Keqen dhe brishtësinë e jetës njerëzore;

– marrëdhënien autor-tekst-lexues si një proces njohjeje, vetënjohjeje dhe burim kënaqësie;

– leximi si terapi e gjithëhershme e njerëzimit, si marrëdhënie mes individit dhe shoqërisë në panoramën e sotme social-kulturore;

– leximi, në kontekstin shkollor, si ‘palestër’ gjuhësore që përmirëson ligjërimin, të folurin dhe të shkruarin, nxit frymëzimin dhe lëvron imagjinatën. Duke çmuar rëndësinë e leximit si të tillë, si ta mësojmë letërsinë sot? Cilat do të ishin qasjet efikase për të mbajtur gjallë interesin për letërsinë dhe leximin në epokёn digjitale?

  1. Përkthim/interpretim: -Përparimi i teknologjive të informimit dhe komunikimit dhe zbatimi i tyre konkret ka ndikuar pa dyshim edhe nё shkencën e përkthimit, i cili zotëron sot mjete dhe perspektiva të reja. Nga ana tjetër, evoluimi i gjuhës, ndryshimet shoqërore e kulturore, ndryshimi i tendencave dhe mёnyrave të përkthimit ka bërë të domosdoshëm ripërkthimin e veprave të klasikëve dhe një reflektim mbi raportin e të njëjtësme të huajënnë përkthim, nocionin e besnikërisë, raportin e përkthyesit me autorin, reflektim mbi etikёn dhe estetikёn në përkthim etj. Në kuadrin e kësaj konference do të propozonim rimarrjen e këtyre nocioneve të gjithëkohshme në një kontekst të ri si dhe nё kuadёr tё risive kërkimore si më poshtë:

– Përkthimi, krijimi i kuptimit – konteksti gjuhёsor dhe jashtёgjuhёsor;

– Ripërkthimi, njё sfidë e shekullit të ri dhe nevoja e studimeve krahasimore në kushtet e ripërkthimit;

– Përkthimi si një shkencë ndërdisiplinore në pikëpjekje me disiplina të tjera;

– Përkthimi si ndërmjetësim kulturor- transferimi i kulturemave dhe ruajtja e huazimit;

– Interpretimi ‘on line’ –një teknikë dhe sfidë e të sotmes dhe të ardhmes;

– Interpretimi, figura, roli dhe vendi i interpretit në shërbimet publike.

  1. 5Zhvillimi i qasjeve tё reja të kërkimit: Sot po shihet nevoja pёr tё shkuar pёrtej modelit tradicional të kërkimit. Studiuesit dhe strukturat kërkimore universitare nuk mund të funksionojnë të veçuara. Nevojat dhe produkti i tyre duhen parë si pjesë përbërëse e një sistemi dhe me një impakt tё drejtpёrdrejtё në shoqëri çka nënkupton një bashkёpunim dhe sinergji midis aktorëve të kërkimit si dhe atyre të organizmave politikë, ekonomikë e shoqërorё.

Nga ana tjetër, digjitalizimi ka ndryshuar praktikat e kërkimit të informacionit por edhe të publikimeve tё punёve kёrkimore tё pedagogёve tё universitetit, ndaj shkëmbimet në këtë kuadër do të ishin mjaft të dobishme.  Përtej ofrimit të instrumentave të shumtё në fushën e kërkimit dhe një larmie burimesh e të dhënash, hapësira digjitale modifikon produktin dhe shpërndarjen e njohurive. Vlerësimi, mbёshtetja, pёrçimi i rezultateve të kërkimit dhe shkëmbimi i tyre janë një tjetër sfidë që shtron para kërkuesve nevojën për t’u organizuar dhe funksionuar në rrjete kërkimore.

Ju lutemi, ndiqni likun për të plotësuar të dhënat e prezantimit tuaj https://forms.office.com/r/4gidiDtyYS

 

Data tё rёndesishme:

Pranimi i abstrakteve: 15 Tetor, 2021

Njoftimi i pranimit: 15 Nёntor, 2021

Gjuhёt qё do tё pёrdoren gjatё mbajtjes sё Konferencёs: Anglisht dhe Shqip

Shёnim: Referuesit e huaj janё tё lejuar ta paraqesin punimin nё gjuhёn e tyre mёmё.

Aktet e konferencës do të publikohen pas mbledhjes dhe vlerësimit të tyre paraprak nga komiteti shkencor

P/S Konferenca parashikohet të zhvillohet në auditor dhe online, por kjo do të varet nga kushtet që do të diktojë situata e pandemisë Covid 19.