Në kuadrin e aktiviteteve me Institutin Konfuci sot u organizua ceremonia përmbyllëse e Shkollës Dimërore të gjuhës dhe kulturës kineze të ofruar për studentët e FGJH-së

Në kuadrin e aktiviteteve me Institutin Konfuci sot u organizua ceremonia përmbyllëse e Shkollës Dimërore të gjuhës dhe kulturës kineze të ofruar për studentët e FGJH-së.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin Dekani i Fakultetit Prof.Dr. Esmeralda Kromidha, Ambasadori i Republikës Popullore të Kinës në Shqipëri Z. Zhou Ding, Prof. Dr. Zhang Xiaoying, Drejtori i palës kineze i Institutit Konfuci UT, Z. Erion Malaj, Drejtori i palës shqiptare i Institutit Konfuci UT, profesorë kinezë, profesorë dhe studentë të FGJH-së.
Dekania theksoi se “Kultura është kushti i parë dhe qëllimi përfundimtar i çdo zhvillimi. Gjatë 1 viti ne si fakultet kemi zhvilluar takime e aktivitete me Qendrën Konfuci, kemi njohur përkthyes të gjuhës kineze, vepra e autorë të përkthyer në shqip apo dhe e kundërta, kemi dëgjuar shkrimtarë të sjellin përshtypjet e tyre mbi realitetin kulturor kinez, kemi shijuar ushqimet kineze, kemi ftuar profesorë kinezë në Konferencën Shkencore vjetore të Fakuletit dhe kemi dëgjuar rezultatet e kërkimeve të tyre, kemi diskutuar për bashkëpunime në programe të përbashkëta, kemi festuar së bashku, kemi promovuar gjuhën kineze dhe u dhamë mundësinë studentëve të zhvillojnë tre javë gjuhë dhe kulturë kineze.
Ne mendojmë se duhet të formojmë njerëz të lirë të botës dhe si të tillë të rinjtë në Fakuletin e Gjuhëve të Huaja duhet të njohin sa më shumë gjuhë dhe kultura të huaja, ku ndër to gjuha dhe kultura kineze është gjuha e një populli me kulture të madhe dhe të lashtë.
Sot mundësitë e lëvizjes së të rinjve janë shumë herë më të mëdha krahasuar me vite më parë dhe duke qenë optimiste për nga natyra, shpresoj të jenë akoma më të mëdha në të ardhmen. Për këtë të rinjtë duhet të lexojnë dhe të kultivojnë mendjet e tyre me histori, art, letërsi, për të njohur më mirë të huajt, për të relativizuar stereotipet e tyre dhe për të kuptuar bashkëbiseduesit e huaj.
Ne urojmë shumë që falë punës së përbashkët me Institutin Konfuci, partnerë universitarë në Kinë të mund të konceptojmë programe të përbashkëta me interes për të rinjtë dhe punësimin e tyre.”
Ambasadori përgëzoi studentët për arritjet e tyre në këtë shkollë dimërore si edhe falenderoi profesorët e tyre që i njohën me kulturën, letërsinë, artin e gatimit, pikturën, filmin dhe takime me biznesin kinez që operon në Shqipëri.
Ai shprehu gadishmërinë e tij për të mbështetur FGJH-në në nisma të ngjashme, leksione të hapura dhe takime me grupe studentësh me diplomat dhe profesorë kinezë.