Prezantimi i librit “Ciao Shqipëria! Il secolo dei media nei rapporti culturali italo-albanesi” në FGJH

Ditën e martë, datë 18 prill 2023, në orën 09:30, në sallën Europa, të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja, prof. Vito Saracino do të prezantojë librin e tij Ciao Shqipëria! Il secolo dei media nei rapporti culturali italo-albanesi botuar nga shtëpia botuese “Besa”.  

Ky libër vjen pas një pune kërkimore pesëvjeçare dhe propozohet si një histori e gjatë që ndërthur aspekte historike, kulturore dhe arsimore në lidhje me marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë në fushën e mediave. 

Profesor Vito Saracino është profesor i Historisë Sociale të Mediave në Departamentin e Ekonomisë, Menaxhimit dhe Territorit të Universitetit të Foggia-s. Ai është gjithashtu studiues në Fondacionin Gramsci të Puglia-s ku merret kryesisht me marrëdhëniet mes vendeve të Adriatikut, si konsulent historik për marrëdhëniet Itali-Shqipëri, ashtu edhe për projektin “Gjurmët e Rezistencës: Brigada Gramsci në Shqipëri 1943-1945”. Aktualisht është koordinator shkencor i projektit “Për një rrjet institucionesh midis Pulias dhe Shqipërisë”, i cili merret me organizimin e nismave të dobishme për shpëtimin e filmave të ruajtur në Arkivin e Kinemasë Shqiptare. 

Ftohen të marrin pjesë në këtë event studentë, pedagogë, studiues, dashamirës të letërsisë italiane dhe të mediave. Bashkëbisedimi me shkrimtarin do të bëhet në gjuhën italiane. Ky event organizohet me mbështetjen e Institutit Italian të Kulturës, Tiranë.