Prof. Dr. Artur SULA

FJALȄ HYRȄSE

Të dashur Lexuese e Lexues !

Të Nderuar Kolege e Kolegë!

Është pak të pohoj se sa i lumtur jam për përurimin e numrit të parë të Revistës “FGJH”.

Tek mendoj sa punë u desh, sa vështirësi u kapërcyen, sa lodhje kërkoi, po dhe sa shumë përpjekje për të mposhtur një mendësi që mbante peng ecjen përpara për një rrugë të re të zhvillimit, të hapjes më të madhe ndaj një realiteti kaq dinamik, më besoni, përjetimi im do të mbetet gjatë për të ushqyer një nga ditët më të lumtura të jetës sime, pse jo të jetës së çdo njeriu që shikon ëndrrën e vet të realizuar.

Revista jonë “FGJH” që në emrin e saj nënkupton sinjale të qarta të ofertës sonë të bashkëpunimit me këdo studiues, bashkëpunëtor, shqiptar apo të huaj, që gjen në faqet e saj përmbajtje të rëndësishme të bashkëbisedimit të hapur shkencor, të arritjeve dhe pikave të referimit për të çuar më tej punën dhe kërkimin serioz në dobi të pasurimit dhe përforcimit të rezultateve shkencore.

Fusha e kontributeve është dhe do të jetë gjithmonë e më e gjerë. Ajo do të ngërthejë kontribute autorësh si në gjuhësi, përkthim, letërsi, komunikim, kulturë, qytetërim etj. Jam besimplotë se shumë shpejt Revista jonë do të zërë një vend të nderuar krah botimeve të tjera shkencore. Sfida jonë sapo ka nisur. Përkushtimi, entuziazmi dhe aftësitë menaxhuese të grupit të kolegëve që u kujdesën për botimin e numrit të parë, drejtueses Viola Adhami, bashkëpunëtorëve të ngushtë të saj, Mirela Papa, Maklena Nika, Albert Sheqi, të cilët gjej rastin t`i falënderoj, do të jenë një garanci e mirë për të vijuar në numrat e tjerë. Falënderoj për bashkëpunimin dhe mbështetjen recensentët dhe relatorët e punimeve të botuara.

Të gjithëve ne, Stafit akademik të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, kolegëve tanë kudo që ata ndodhen, studiuesve, kërkuesve, bashkëpunëtorëve të brendshëm e të jashtëm, shqiptarë e të huaj, na takon që me të njëjtin entuziazëm të vijojmë në botimet e ardhshme. Le të ringjallim dëshirën për studime serioze e të mirëfillta si kontribut i vyer për përparimin shkencor të Vendit, le të pasurojmë fondet bibliografike në dispozicion të studentëve me kontribute të përditësuara me rezultate dhe arritje më të fundit të vjela drejtpërdrejtë nga realitetet që janë në ndryshim të vazhdueshëm.

Uroj gjithashtu që përmbajtjet e Revistës “FGjH” të jenë, jo vetëm e thjesht përfundimi i një pune, por dhe ngacmimi për të diskutuar tema e argumente të reja për t’u thelluar apo zgjeruar më shumë në sipërmarrje të reja.

Ju uroj të gjithëve një lexim të këndshëm!

      Prof. Dr. Artur SULA

(9 mars1968 – 21 shkurt 2021)