Ndiheni të diskriminuar? Jeni dëshmitar i një diskriminimi? Raporto Diskriminimin

Sot, në kuadër të Shkollës Verore të Bullgarishtes, vijuan mësimet praktike në të dy nivelet – fillestar dhe i avancuar – nën udhëheqjen e Prof. As. Dr. Raqi Bello dhe Dr. Miranda Bello. Në vijim të programit, Dr. Miranda Bello, pedagoge në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodij” në Veliko Tërnovo dhe lektore e gjuhës bullgare në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, mbajti një referat me temën: “Historia e alfabetit bullgar – Gllagoliku dhe Ciriliku”.

Ligjërata solli në vëmendje rrugëtimin historik të Bullgarisë në krijimin e identitetit të saj gjuhësor dhe kulturor, duke nisur me alfabetin gllagolik – të hartuar nga Shën Kirili dhe Shën Metodi në gjysmën e dytë të shek. IX – dhe më pas me zhvillimin e alfabetit cirilik në fund të të njëjtit shekull. Këto dy alfabete formësuan bazat e gjuhës së parë letrare sllave dhe e vendosën Bullgarinë në qendër të një tradite të madhe shpirtërore dhe kulturore që do të ndikonte në të gjithë botën sllave-ortodokse.

Sot, mbi 300 milionë njerëz përdorin alfabetin cirilik, një trashëgimi e gjallë që nga viti 2007 është bërë pjesë zyrtare e sistemit grafik të Bashkimit Evropian.