Leksion i hapur me temë “The Geography of Words: the most diverse diversity”

Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja patën mundësinë të ndiqnin një leksion të hapur me temë “The Geography of Words: the most diverse diversity”. Ligjërues i ftuar ishte Prof. Danko Sipka, gjuhëtar, leksikolog e leksikograf nga Universiteti Shtetëror i Arizonës, në SHBA.
Leksioni u përqendrua në një nga studimet e fundit të Prof. Sipkës, “Gjeografia e Fjalëve” botuar së fundmi nga Cambridge University Press Book.
Në një qasje sa socio-gjuhësore aq dhe antropologjike gjuhësore, Prof. Sipka, parashtroi tezën se si gjuhët anembanë botës organizojnë leksikun, ose fjalorin e tyre, në një mori mënyrash të ndryshme (diversiteti), të cilat paraqesin variacionet përkatëse leksikore. Fjalët e ndryshme me përmbajtje kulturore, që lidhen me një sërë fenomenesh si farefisnia, ngjyra, hapësira, koha, objektet, erërat dhe kafshët, ndryshojnë sipas gjuhëve dhe vendndodhjeve gjeografike. Gjatë kalimit nga njëra gjuhë në tjetrën ato paraqesin shkallë të ndryshme barasvlerësie. Krahas trajtesave për arsyet e këtij variacioni, u shpjeguan edhe mekanizmat e zhvillimit të tyre në fjalor gjatë ndërveprimit të gjuhëve dhe kulturave.