Departamenti i Gjuhës Spanjolle mori pjesë me projektin “Sfidat e përkthimit terminologjik në dinamikat e reja kombëtare dhe globale të Shqipërisë. Përkthimi i terminologjisë së trashëgimisë kulturore dhe juridiko-administrative”

Në kuadër të Thirrjes së FGJH-së për vitin 2022-2023: “Projekte të kërkimit shkencor”, Departamenti i Gjuhës Spanjolle mori pjesë me projektin “Sfidat e përkthimit terminologjik në dinamikat e reja kombëtare dhe globale të Shqipërisë. Përkthimi i terminologjisë së trashëgimisë kulturore dhe juridiko-administrative”.
Pjesë e këtij projekti është aktiviteti shkencor me titull “Workshop mbi përkthimin sipas qasjes kognitivo-funksionale në përkthim”, që u zhvillua në ambjentet e FGJH-së dhe ku morën pjesë studentë të studimeve master shkencor në përkthim dhe në komunikim ndërkulturor dhe turistik si edhe studentë të vitit të tretë të studimeve bachelor.
Njëkohësisht të pranishëm ishin edhe pedagogët e Departamentit të Gjuhës Spanjolle si edhe përkthyesja e njohur e veprës së Ismail Kadaresë znj. Maria Roces.
Në këtë aktivitet kumtuan doktorantja Sandra Gjoka, Pula, Maria Roces si edhe Prof. Dr. Anastasi Prodani, ku krahas qasjes teorike të konjitivizmit dhe funksionalizmit, të prezantuar nga doktorantja u ofruan dhe shembuj konkretë të përkthimit të kulturemave si edhe të terminologjisë juridiko- administrative duke vënë theksin në njohuritë proceduriale që duhet të përftojnë studentët gjatë komenteve traslative të terminologjive në fjalë, komente të bazuara në metodologjinë deskriptive dhe retroaktive të shkollës gjermane të “Orientimit të ri në përkthim”.