Workshop i realizuar nga grupi mësimor–kërkimor i Përkthimit & Interpretimit i Departamentit të Gjuhës Italiane në FGJH

Gjatë Workshop-it të datës 08.05.2023, të realizuar nga grupi mësimor – kërkimor i Përkthimit & Interpretimit i Departamentit të Gjuhës Italiane, u diskutua mbi çështje që kanë të bëjnë me vështirësitë e përkthimit të letërsisë për fëmijë si dhe zhvillimin e aftësive të përkthyesve në përkthimin e librave kushtuar lexuesve të vegjël. Gjatë ligjëtarave të mbajtura u vunë në pah karakteristikat që paraqesin tekstet e letërsisë për fëmijë dhe vështirësitë që hasen gjatë trajtimit të tyre përkthimor. Gjithashtu në këtë takim u vunë në fokus probleme editoriale të botimit të librave për fëmijë, si dhe u sollën eksperienca personale përkthimi nga përkthyesit e pranishëm. Një pjesë e trajnimit i kushtohej natyrës së problematikave me të cilat ndeshet profesionisti gjatë punës së tij, si dhe zgjidhjet e mundshme që ofrohen. Pjesëmarrës në këtë takim ishin studentët e ciklit të parë Bachelor, studentët e ciklit të dytë Masterit në Përkthim-Interpretim, si dhe studentët doktorantë të fushës Gjuhësi-Përkthim të Departamentit të Gjuhës Italiane. Ishin të pranishëm gjithashtu edhe studentë të ciklit të parë Bachelor të Departamentit të Gjuhës Angleze. Takimi u mbyll me zhvillimin e disa aktiviteteve praktike përkthimore me studentët për të parë realisht se si mundësohet përkthimi i këtij lloj zhanri letrar.